Lëvizja Vetëvendosje ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për raportin e Komisionit Evropian për këtë vit, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli, tha se përgjegjëse është Qeveria e Kosovës e cila e ka rritë në masë të madhe Qeverinë e që sipas saj kjo është bërë për interesa të familjarëve të tyre.
Ajo ka përmendur edhe mosngritjen e aktakuzave për njerëzit e profilit të lartë .
“Madhësia e qeverisë, numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave ka ndikuar negativisht në kredibilitetin dhe efikasitetin e punës së qeverisë. Administrata vazhdon të përdoret si pronë private për interesa të militantëve partiakë e familjarëve, pa marrë parasysh përgatitjen profesionale. Raporti e konsideron tejet shqetësuese ndikimin politik në rekrutimin e pozitave të larta të shërbimit civil dhe rekrutimet pa merita”, tha ajo.
“…Raporti kritikon sistemin e drejtësisë kur potencon se deri më sot ka vetëm 51 raste të regjistruara. Vetëm 38 aktakuza, 27 raste të lidhura me korrupsion dhe 11 të lidhura me krimin e organizuar. Vetëm në 9 raste ka patur një vendim përfundimtar, 5 kanë përfunduar me një vendim (pjesërisht) fajtor, ëqë do të thotë vetëm 9 individë të dënuar për korrupsion. Ndërkaq konfiskimi i pasurisë ka rënë nga 700.000 euro sa ishte në vitin 2017 në vetëm 49.394 euro për vitin 2018”, tha Pacolli, raporton EO.
Edison Jakupi nga VV-ja duke folur për anën ekonomike të këtij raporti tha se ndryshimi dhe mospërsëritja e këtij raporti bëhet me ardhjen e një qeverie të re.
“Kemi pasur rritje ekonomike, por njëkohësisht kemi të ardhura më të vogla në rajon. Kemi rritje ekonomike për shkak të mërgatës. Alternativa është mospërsëritja e raportit në vitin 2021, e kjo bëhet me ardhjen e një qeverie të re”, ka thënë Jakupi, raporton EO.
Sa i përket papunësisë, ai thotë se rreth 12 mijë persona më pak të punësuar në krahasim me 2017-ën.
” Kosova ka nivelin e bruto produktit vendor për kokë banori më të ultin në rajon, Qeveria nuk ka as strategji as koherencë për subvencionimin e ndërmarrjeve publike”.