VV-ja e bojkoton edhe seancën e veçantë të opozitës – Tahiri: Kjo është frikë për t’u ballafaquar me realitetin

Prishtinë | 27 Tet 2023 | 11:35 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se shumica parlamentare është duke e bojkotuar Kuvendin edhe kur ka tema në interes të vendit dhe jopolitike, raporton Ekonomia Online.

“Fatkeqësisht edhe sot po shihet që shumica parlamentare është duke e bojkotuar Kuvendin edhe kur ka tema që lidhen me interesin e vendit dhe jo të ndonjë beteje politike. Kryetar e dini që në Kryesi ka pasur dakordim të plotë që të mbahet kjo seancë, ku do t’i jepej mbështetje rezolutës së PE-së i cili në 28 pika ka bërë përgjegjëse të drejtpërdrejtë Serbinë. E dënon Serbinë për lidhjet e saja me Rusinë e Kinën”, ka thënë Tahiri.

Ai i është drejtuar Konjufcës duke i thënë se “nuk është sot koha për betejë politike mes pozitës e opozitës”.

“Qëllimi është që si Kuvend të bëjmë një veprim për të shprehur falënderim dhe të konfirmojmë qëndrimin politik në raport me rezolutën e PE-së. E shoh si një veprim të papërgjegjshëm dhe si një frikë nga LVV-së mos me u ballafaqu me Kuvendin. Nuk e di pse nuk janë këtu dhe çka po i frikëson kaq shumë që të mos jenë në ketë Kuvend”, është shprehur Tahiri.

“E shoh si një veprim të papërgjegjshëm si një pamaturi dhe si një frikë e VV për t’u ballafaquar me realitetin”.

Në rend të ditës është miratimi i deklaratës në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje nuk mori pjesë as një seancën e djeshme të jashtëzakonshme të thirrur për të diskutuar për ngritjen e koeficientit të pagave.

Për të dënuar sulmin në Banjskë, javën e kaluar Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë.

Eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësojnë atë “të rrezikshme.” Rezoluta në fjalë thekson se autorë të sulmit terrorist janë “para ushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”

Rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit ta dënojnë atë. 

Të ngjashme