Pa epilog ka përfunduar takimi i parë në nivel të grupeve punuese në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e koalicionit parazgjedhor. Nuk ka pasur pajtueshmëri rreth kandidatit për kryeministër e as për parimet qeverisëse.
Nga takimet ndërmjet kryetarëve, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, këto dy subjekte i kanë zgjeruar konsultat edhe në grupe punuese, shkruan Koha Ditore.
Të hënën është mbajtur edhe takimi i parë mes tyre. Nga ana e LVV-së kanë qenë Glauk Konjufca dhe Besnik Bislimi, ndërsa nga LDK-ja, Avdullah Hoti dhe Kujtim Shala.
Derisa në LDK nuk janë deklaruar pjesëmarrësit e takimit dhe modalitetet që janë diskutuar, në LVV thonë se aty i kanë shpalosur arsyet pse Albin Kurti duhet të jetë kandidat i përbashkët për kryeministër.
Ndërkaq LDK-së i është ofruar posti i presidentit dhe ai i kryetarit të Kuvendit.