VV-ja e sheh zhvillimor për ndërmarrjet Fondin Sovran, PDK-ja të dështuar e pabarazi ndërmjet publikut e privatit

Prishtinë | 02 Dhj 2023 | 08:28 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje po këmbëngul në votimin e Projektligjit për Fondin Sovran, ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë. Sipas këtyre të fundit, me krijimin e Fondit Sovran zhduket konkurrenca dhe krijohet pabarazi mes sektorit privat dhe atij publik, raporton Ekonomia Online.

Nga PDK-ja konsiderojnë se praktikat ndërkombëtare tregojnë se Fondi Sovran nuk menaxhon asetet por dividentet, ndërsa nga VV-ja, e shohin si zhvillimor dhe tendencë për t’i rimëkëmbur këto ndërmarrje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka thënë për Ekonomia Online se Fondi Sovran ka për qëllim funksionalizimin e ndërmarrjeve publike, pasi të njëjtat tash e sa vite operojnë me humbje.

“Edhe nisma ligjore për me e funksionalizua Fondin Sovran, e ka këtë qëllim që të vijë në shprehje aktiviteti i tillë ekonomik, i cili në vete ka me i marrë këto ndërmarrje që kanë potencial të madh të zhvillimit të tyre dhe do të jap kontribut të drejtpërdrejt edhe buxhetit të vendit por edhe vetë këtyre ndërmarrjeve të cilat me vite të tëra kanë operuar me humbje. Ky është synimi kryesor që të tilla ndërmarrje me u jep një fokus më të madh nga ana e Qeverisë, që me zhvillu potencialin që ata kanë. Po flasim për Trepçën, për Infrakosin, KEK-un e ndërmarrjet tjera që kanë potencial të madh të zhvillimit”, ka thënë Korenica për EO.

Duke përmendur ndërmarrjet që për vite kanë punuar me humbje, deputeti i VV-së ka thënë se Bordi profesional do t’i menaxhojë ato e që sipas tij fokus kryesor do ta ketë zhvillimin e tyre.

“Ky është edhe synimi, përmes rritjes së kapitalit të këtyre ndërmarrjeve edhe përformimit të mirë të tyre sa i përket zhvillimit të mëtutjeshëm të këtyre ndërmarrjeve, çka do të ndikojë drejtpërdrejt, është që synohet që të mos operojnë më me humbje, të krijohet një garanci për ata që punojnë brenda këtyre ndërmarrjeve, punëtorët të jenë aksionar të këtyre ndërmarrjeve dhe në të njëjtën kohë do t’i jap potencial të madh zhvillimit të brendshëm ekonomik”.

“Pra përmes Fondit Sovran, po synohet që të arrijmë atë zhvillim e cila i ka munguar këtyre ndërmarrjeve. Ju e dini se Infrakosi punon me humbje, apo Trepça apo ndërmarrjet tjera. Ky Fondi Sovran, e ka këtë synim që brenda një Bordi profesional që do të themelohet e do t’i mbikëqyr këto ndërmarrje, do të ketë fokus të drejtpërdrejt të zhvillohen dhe të mos operojnë në të ardhmen me humbje, siç kanë punuar deri më sot”, u shpreh Korenica.

Por ndryshe nga Korenica, po mendon deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala. Ai për Ekonomia Online, ka thënë se me krijimin e Fondit Sovran, zhduket konkurrenca dhe krijohet pabarazi mes sektorit privat dhe atij publik.

“Ne e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë për faktin që ky ligj nëse miratohet kështu si është e centralizon menaxhimin e të gjitha kompanive edhe ndërmarrjeve publike dhe aseteve të AKP-së, pra nga një ekonomi e tregut të lirë kalojmë në një ekonomi të centralizuar ku brenda një kuadri politik të vendosën menaxhment… që i bie që elementi i konkurrencës zhduket sepse tash kemi një trup menaxhues e cila vepron në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut të lirë e cila nuk e njeh ligjin e prokurimit publik pra ka dallim të madh nga sektori privat që do të thotë që ekonomikisht të kemi një bazë të re konceptuale të majtë”, u shpreh ai.

Duke argumentuar kundërshtitë e tij për Fondin Sovran, Shala këtë projekt e sheh të dështuar për faktin se në Kosovë nuk ka ndërmarrje që operojnë me fitim. Këtë iniciativë, Shala e konsideron si politikë majtiste

“Është politikë majtiste që zhduk konkurrencën dhe krijon pabarazi mes sektorit privat dhe atij publik dhe definitivisht nuk është zhvillimor për faktin se po mashtrohet me konceptin e Fondit Sovran sepse shtetet më të zhvilluara të botës dhe praktikat më të mira të Fondit Sovran nuk menaxhojnë asetet por menaxhojnë me dividenten e aseteve dhe dallimi është i madh të thuash po menaxhojmë me asetet e ndërmarrjeve të cilat asnjë nga këto nuk kanë mjete rezervë, nuk kanë mjete shtesë”.

“Të gjitha kanë nevojë për investime për ri-strukturim të tyre e tek pas viteve të tëra të këtij procesi ato mund të jenë rentabile, pra Fondi Sovran kështu si është menaxhon me asete dhe menaxhimi me asete joproduktive është projekt i paraparë për dështim dhe praktikat që thirrën janë tjera në koncept janë të hapura për tregun dhe punohet me pjesën e dividentes së ndërmarrjeve të cilat kanë rentabilitet pozitiv, aktualisht ne nuk kemi asnjë kur i shtojmë kësaj që ky ligj dominon në ndërmarrjes publike në Ligjin e Trepçës në Ligjin e Prokurimit dhe të tjera kemi një centralizim ekstrem”.

“Të gjitha këto që parashihet sipas debateve që kemi pasur dhe informacioneve që kemi ndërmarrjet publike të cilat duhet të futën në Fondin Sovran asnjë nga to nuk ka rentabilitet ekonomik përjashto deri KEK-un deri diku pra si ka mundësi që më 20 milionë euro kapital themeltar të rivitalizohen KEK-u, Trepça, Posta, e gjitha asetet tjera pasive të AKP-së”.

Të ngjashme