PDK: Emërimi i një farmacisti në krye të Inspektorateve në Prizren nga VV-ja, degradim i institucioneve

Prishtinë | 28 Kor 2020 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren ka shfaqur shqetësime për emërimin e një farmacisti në postin e drejtorit të Inspektorateve në Prizren.

Në një reagim të dërguar për medie, PDK e cilëson të papërvojë personin e emëruar për “udhëheqjen e njërit nga sektorët më të rëndësishëm komunal, siç është inspektorati”.

Reagimi i plotë:

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, shfaq shqetësimin për çasjen joserioze dhe vazhdimin e eksperimentimeve nga ana e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka me qytetin e Prizrenit.

Emërimi i një joprofesionisti të fushës në postin e drejtorit të Inspektorateve në Prizren, sikur ky i fundit, është edhe një tregues tjetër për dështimin e Haskukës dhe Vetëvendosjes.

Të emërohet një farmacist, i papërvojë në udhëheqjen e njërit nga sektorët më të rëndësishëm komunal, siç është inspektorati, është dëshmia më e mirë se subjekti që na proklamonte Parajsën sa ishte në opozitë, tashmë i mbetur në bashkëqeverisje vetëm me subjektet e minoriteteve, tregon që po vazhdon të përballet edhe me mungesën e kuadrove.

Këtë e tregon boshllëku për një kohë në këtë post, derisa njerëzit hezitojnë të jenë pjesë e një kabineti amator, të udhëhëqur nga një kryetar që as nuk jeton në Prizren.

Tash kur Drejtoria e Inspektoratit po vlon nga problemet e grumbulluara për shkak të mungesës, njëkohë të drejtorit dhe mungesës së profesionalizmit të tij, si dhe ndikimit partiak, Haskuka në krye të inspektorateve emëron një militant partiak të papërvojë, që vështirë ta ketë haberin se nga t’ia fillojë lëmshit të punëve.

PDK i’a kujton qytetarëve të Prizrenit zbehjen e institucioneve gjatë kohës që qeverisjes së Haskukës, ndërsa në këtë situatë edhe vendosja e një juristi të shquar, do të ishte e pamjaftueshme për Inspektoratet, kur dihet se ish-drejtori Islam Thaçi dhe disa zyrtarë tjerë tashmë përballen me aktakuza gjyqësore.

Veprimet e tilla janë treguesi më i mirë se shkarkimi i detyruar i disa drejtorëve, nuk i ka dhënë kurrfarë leksioni kryetarit Haskuka, për gjetjen e kuadrove profesionale e të dëshmuara.

PDK dyshon se në vend të zgjidhjes, problemet në sektorin e inspektorateve do të thellohen, ndërsa e tëra shkon në dëm të qytetit.

Sa për qeverisjen nga Vetëvendosje, këtë tashmë më së miri e dinë prizrenasit. 

Gjatë qeverisjes “alla axhami” Prizreni ka humbur shumë kohë me eksperimente në sektorët më të ndjeshëm si: arsimi, shëndetësia, kultura, e ku jo tjetër.

Gjatë kësaj kohe të qeverisjes, Vetëvendosje është dëshmuar për mungesë profesionalizmi në menaxhimin e drejtorive komunale, pasi për herë të parë pas luftës, në postin e drejtorit të Shëndetësisë në Prizren emëroi një ekonomist e jo mjek.  Një paradoks i radhës ishte kur Visar Shehu, ekonomist, u vu në krye të shtabit për Pandemisë, duke bërë që Prizreni të jetë ndër qytetet me më së shumti raste me Covid-19.

Ngjashëm është vepruar edhe me Drejtorinë e Arsimit, ku është emëruar një person që nuk ka lidhje me këtë fushë, duke sjellë gjendjen më të keqe në arsimin prizrenas, që me dekada ishte një model për vendin.

Të gjitha këto janë dëshmi për shkallën e degradimit të qytetit nga qeverisja e Mytaher Haskukës!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme