Gjatë ditës së sotme nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka deklaruar se LDK është në pritje të ftesës nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) për takimin e radhës që duhet mbajtur këto dy parti për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Anëtarja e kryesisë së VV-së, Arbërie Nagavci, e kontaktuar nga GazetaBlic i është përgjigjur deklaratave të Osmanit. Nagavci tha se VV është e gatshme kurdo që të ketë takime të tilla me LDK-në dhe kjo e fundit këtë e di shumë mirë.
Ajo tha se gjitha gjërat janë qartësuar mes VV-së dhe LDK-së në lidhje me kërkesat e tyre, ndërsa tani janë në pritje të takimit të radhës.
“Ne kemi qenë të gatshëm, edhe LDK këtë e di, gjitha gjërat që kemi pas për t’u dakorduar tani më janë bërë të qarta dhe presim që këto ditë të kemi takim me LDK-në”, tha ajo. Nagavci tha se ende nuk është shqyrtuar se në cilën ditë do të ndodhë takimi, por tha se një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti.
“Nuk e kemi shqyrtuar ende për takimin se kur do të ndodhë sepse deklarata ishte gjatë ditës së sotme”, tha ajo për GazetaBlic.
Në lidhje me çështjen e postit të presidentit, tha se LDK-ja tashmë e ka të qartë qëndrimin e tyre në lidhje me këtë temë, por mbetet të mësohet në takimin e ardhshëm se a do të jetë prapë temë diskutimi, apo do të ketë pajtim në këtë pikë.
“Në takim do të shikojmë se cilat janë kërkesat dhe ato do t’i shqyrtojmë”, shtoi Nagavci.