Lëvizja Vetëvendosje thotë se deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për këshillime me partitë politike për formimin e qeverisë së re, janë shenja të “përpjekjeve të tij jo kushtetuese dhe të pasuksesshme” dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas tejkalimit të situatës së krijuar nga COVID-19.
Në një komunikim me Zërin e Amerikës, Lëvizja Vetëvendosje duke ju referuar Kushtetutës së Kosovës, theksoi se “presidenti mund të shpërndajë Kuvendin pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit. Ne kemi tashmë dy dekrete atë të vitit 2010 dhe atë të vitit 2017, ku të dy presidentët në vitet e cekura, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë, kanë shpërndarë Kuvendin. Tashmë ka precedent, dhe është shndërruar në normë’, thuhet në përgjigjen e lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën theksohet se do të presin që të tejkalohet situata me virusin COVID-19 dhe pastaj të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Të premten presidenti Hashim Thaçi tha se nga e hëna do të fillojë këshillimet me partitë politike për mundësinë e formimit të qeverisë së re, duke nënvizuar se synimi i tij “do të jetë në çdo rrethanë që mos ta lejojë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të shpërbëhet Kuvendi, Pra nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët e partive për të themeluar institucionet dhe mos të ketë vakum institucional”, tha ai.
Por, për lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka asnjë boshllëk institucional.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka kompetencat e plota për të menaxhuar dhe adresuar masat që lidhen me COVID – 19. Tani për tani ne jemi shumë të përkushtuar që nga kjo situatë e krijuar nga virusi COVID – 19 të dalim me numër të vogël të të prekurve dhe të mos ketë pasoja në jetë njerëzish. Secili institucion po punon e angazhohet në këtë drejtim, pra ky është shqetësimi jonë e që është shqetësim edhe në gjithë botën”, thuhet në përgjigjen e kësaj lëvizjeje për Zërin e Amerikës.
Presidenti Thaçi, tha se “do të përqendrohet që të mos e çoj vendin në zgjedhje” por të formohet një qeveri, siç tha ai, “të stabilitetit, unitetit dhe gjithëpërfshirjes”.
Kushtetuta e Kosovës parasheh që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Por, po ashtu sipas Kushtetutës, “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.
Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka shpjeguar procedurat që duhet ndjekur pas rrëzimit të qeverisë.
“Nga ana kushtetuese, procedura është e njëjtë siç ka qenë edhe në rastin e formimit të qeverive tjera. Është pika zero. Presidenti duhet t’i dërgoj fituesit të zgjedhjeve një letër ose kërkesë për emrin e mandatarit të ri. Kjo është kështu sepse sipas aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese në rastin VLAN presidenti në raundin e parë nuk ka asnjë diskrecion. Do të duhet të presë përgjigje nga fituesi i zgjedhjeve i cili e kontrollon në mënyrë absolute raundin e parë”, tha ai.
Që nga e mërkura, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë, pasi që parlamenti me 82 vota miratoi mocionin e Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. LDK-ja dhe lëvizja Vetëvendosje ishin përplasur rreth tarifave ndaj mallrave serbe. Ajo kërkoi që ato të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.
Mospajtimet brenda koalicionit qeverisës kulmuan me shkarkimin e ish ministrit të Brendshëm nga radhët e LDK-së.
Që nga formimi i saj në fillim të muajit shkurt, qeveria e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike u gjet nën trysni për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntor të vitit 2018, duke çuar në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Sipas vëzhguesve, mos heqja e tarifave i ka kushtuar Kosovës me rënien e dy qeverive.