VV-ja krenohet me Raportin e Progresit për Kryeprokurorin, ekspertët kërkojnë ripërsëritje të procesit

Prishtinë | 02 Nën 2024 | 10:50 | Nga Hasan Hoti

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Raporti i Progresit ka shpërfaqur mendim të njëjtë me ta sa i përket mungesës së transparencës në procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas partisë në pushtet, kritikat e tyre viteve të fundit për këtë proces, kanë qenë të drejta.

E në anën tjetër, njohës të sistemit të drejtësisë, thonë për Ekonomia Online se Këshilli i Prokurorial i Kosovës duhet të përsërisë procesin për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, Adnan Rrustemi, ka thënë për Ekonomia Online se Raporti i Progresit vërteton të gjitha ato i kanë thënë dhe që ky proces duhet të rikthehet në baza të qëndrueshme.

“Në radhë të parë Raporti i Progresit për vitin 2024 është raporti më i mirë që është nxjerrë për Kosovën, evidenton progresin, luftën kundër krimit dhe korrupsionit në rastin konkret konfirmon konstatimet e dhëna nga shoqëria civile në Kosovë por edhe vlerësimi që kemi pasur ne që procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit ka qenë një proces i diskretituar e jo meritor që ka pasur për qëllim mbrojtjen e interesave të individëve të caktuar brenda sistemit prokurorial që nuk do t’i shërbente as luftës kundër krimit, as luftës kundër korrupsionit por as efikasitetit të sistemit të drejtësisë në rastin konkret të organit të akuzës. Padyshim që Raporti i Progresit vërteton të gjitha ato që kemi thënë dhe që ky proces duhet të rikthehet në baza të qëndrueshme që të kemi një prokuror të shtetit të mirëfilltë të paanshëm, të pavarur që i shërben luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe që nuk i shërben interesave të caktuara të individëve qofshin ata brenda sistemit prokurorial apo edhe jashtë shtetit”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, konsideron se ky proces duhet të rikthehet në pikën zero, në mënyrë që të “luftohet korrupsioni i instaluar përgjatë viteve në Kosovë”.

“Nuk ka alternative, beteja për një sistem të drejtësisë të pavarur, të paanshëm, efikas e sidomos për një sistem prokurorial të ç’kapur nga grupet e ndryshme të ndikimit dhe interesit, nuk ka opsion tjetër, kjo është një betejë që mund të merr kohë por që nuk ka alternativë dhe jam i bindur që Kosova do të ketë një sistem të drejtësisë të mirëfilltë që do t’i shërbejë principit të drejtësisë së paanshme që do t’i shërbejë qytetarëve për drejtësi të pa ndikuar dhe që do ta luftojë korrupsionin e instaluar përgjatë viteve në Kosovë”, u shpreh Rrustemi.

E avokati Ardian Bajraktari, ka thënë për Ekonomia Online se organi i ndjekjes është dashur të rihapë konkursin në momentin kur ka marrë përgjigje për mosdekretim të kandidatit, Blerim Isufaj. Konsideron se Raporti i Progresit me të drejtë thekson mungesën e transparencës në procesin e parë.

“Fillimisht duhet të them se Këshilli Prokurorial i Kosovës vetëm është me vonesë për sa i përket çështjes së përzgjedhjes që Kryeprokurori i Shtetit për faktin se prej momentit kur është njoftuar nga ana e Zyrës së Presidentit se nuk do të dekretoj kandidatin e propozuar, atëherë ka qenë në bindjen time në detyrë dhe përgjegjësi e Këshillit Prokurorial që të ndërmarr sa më parë veprime konform të përgjegjësisë kushtetuese dhe ligjore ta rihap konkursin me u sigurua që po ashtu procesi me qenë transparent dhe meritor dhe në këtë drejtim natyrisht që në kuadër të kapitullit 23 të raportit për sa i përket çështjes gjyqësore dhe të drejtave të njeriut, në bindjen time raporti i progresit me të drejtë ka rekomanduar që ka vonesë të rihapet ky proces”, ka thënë Bajraktari, teksa thekson mungesën e transparencës në procesin e parë ku u propozua Blerim Isufaj si kryeprokuror.

Bajraktari thekson se Presidenca ka vepruar në shpërputhje me përgjegjësitë kushtetuese që i ka kur ka heshtur rreth kandidatit për kryeprokuror. Sipas tij, gabime kanë bërë të dyja institucionet.

“Në bindjen time prej momentit kur është kthyer nga ana e institucionit të Presidentit sa i përket atij, procesi e vetmja mundësi ka qenë që i njëjti të rihapet dhe të  zhvillohet një bazë të transparencës dhe meritokracisë, pa paragjykuar kandidatin i cili do të rekomandohej dhe ndërsa ai mosdekretim eventual natyrisht që ka qenë në bindjen time, po ashtu në shpërputhje me përgjegjësitë kushtetuese për faktin se ka qenë një kohë relativisht e gjatë kur Presidentja nuk ka vepruar e ka lënë në heshtje, prandaj fakti që nuk kemi pas kaq kohe Kryeprokuror të Shtetit me mandat Kushtetues dhe ligjor të rregullt, fillimisht përgjegjësia ka qenë e Presidentes, pastaj natyrisht që përgjegjësia kryesore është e Këshillit  Prokurorial”, u shpreh Bajraktari.

Të ngjashme