Lëvizja Vetëvendosje po planifikon të nxit studentët më të mirë të nivelit Master, të angazhohen në mësimdhënie dhe të ofrojë përgatitje profesionale të vazhdueshme në nivel kombëtar për të gjithë, ka thënë lideri i saj, Albin Kurti.
Në bisedë me profesorin e Universitetit të Harvardit, Fernando Reimers, Kurti tha se diskutuan mbi sfidat e arsimit dhe politikat për mandatin e ardhshëm, duke filluar nga shujtat falas për të gjithë fëmijët, eliminimin e notave për klasat fillore të ulëta, kurrikulat e reja dhe edukimi dual që ndërlidh aftësimin profesional me tregun e punës.
Kurti tha se ky model i është dhënë si propozim nga Reimers, që sipas këtij të fundit, ka funksionuar për shtetet e ngjashme.
“E dimë se shumica e klasëve në shkolla janë të mbingarkuara, dhe një reformë që propozoi profesori Reimers e që ka funksionuar për shtetet e ngjashme është angazhimi i asistentëve për mësimdhënësit e të gjitha niveleve. Lëvizja VETËVENDOSJE! planifikon të nxit studentët më të mirë të nivelit Master të angazhohen në mësimdhënie, dhe të ofrojë përgatitje profesionale të vazhdueshme në nivel kombëtar për të gjithë”, ka shkruar Kurti në Facebook.