Lëvizja Vetëvendosje nuk do të merr pjesë në takimin me liderë politikë, të cilën e ka organizuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për t’i informuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se nuk do t’i përgjigjen ftesës së Hotit.
“Po, kemi pranua një ftesë për takim me liderë, të cilës, sikurse e kemi bërë veçse të qartë, nuk do t’i përgjigjemi. Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa legjitimit të ri përmes zgjedhjeve. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime, e kjo qeveri, përveç se legjitime dhe jo legale, nuk është as e përgatitur dhe as nuk ka parime për këtë dialog”, theksoi ai.
Kryeziu ndër tjera deklaroi se në takimet e fundit me Serbinë, Kosova është përfaqësuar nga një qeveri e cila nuk ka legjitimitet.
“Në takimet e fundit, për fat të keq, Republika e Kosovës, u përfaqësua nga një qeveria palegjitimitet; e ç’orientuar në mungesë të një platforme për dialog; e dobët në raport me palën serbe duke qenë pa mbështetje të gjerë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë e varur aty nga një instrument i Serbisë siç është Lista Serbe; dhe e nënshtruar për shkak të konsensioneve tashmë të mëdha që në fazën paranegociuese me rastin e heqjes dorë nga parimi i reciprocitetit dhe përpjekjet për fuqizim të shtetësisë së Kosovës përmes anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, pohoi ai.
Zëdhënësi i LVV-së, pohoi se procesi i dialogut po përshkohet me mungesë të transparencës.
“Tutje, ky proces po vazhdon të përshkohet me mungesë të transparencës mbi agjendën paraprake të takimeve dhe përfundimeve pas tyre, që si derivat kanë deklarata plotësisht të papërgjegjshme dhe skandaloze, që shpërfaqin mungesën e përgatitjes dhe planifikimit, sikurse ajo e ditës së djeshme se të enjten ‘koordinatorit i bisedimeve’ do të fillojë hartimin e marrëveshjes finale megjithëse sot, dy ditë para udhëtimit në Bruksel emri i tij vazhdon të spekulohet”, u shpreh Kryeziu.
Ndryshe, LVV kishte refuzuar edhe më herët të marrë pjesë në takimin e liderëve në muajin qershor, të cilin po ashtu e kishte organizuar kryeministri, Avdullah Hoti./Telegrafi/