VV-ja sulmon PDK-në pasi Bedri Hamza premtoi rritje të pagave për 50%

Prishtinë | 03 Nën 2024 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklarimit të kandidatit për kryeministër të Partisë Demokratike të Kosovës se në qeverisjen e tij pagat do të rriten për 50 për qind.

Përmes një postimi të bërë në Facebook, VV-ja ka thënë se kjo nuk është diçka e re nga opozita, ndërsa i ka quajtur “Klubi i stërvjetruar politik”, duke shtuar se ata sa kanë qenë në pushtet kanë rritur pagat vetëm për prokurorinë, gjyqësorin pasi kishin interes.

Sipas VV-së, për dallim nga ta, Qeveria Kurti nuk premtoi rritje, por i realizoi ato.

Postimi i plotë:

Klubi i Stërvjetruar Politik flet sërish për rritje të pagave. Por, kjo nuk është diçka e re nga ta.

Por çfarë bënë ata sa ishin në pushtet?

Për veten, prokurorinë dhe gjyqësorin rritën pagat për 100%, sepse aty kishin interes. Ndërkohë, shërbyesve civil, për të cilët gjithmonë premtonin, u rritën pagat vetëm 4%.

Në dallim nga ta, Qeveria Kurti nuk premtoi rritje të pagave, por i realizoi ato, duke krijuar një kornizë ligjore për paga, koeficientë për secilin pozicion, dhe duke zvogëluar hendekun mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Rritja e pagave tani lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit: sa më shumë të rritet ekonomia, aq më shumë rriten pagat.

Gjithashtu, Qeveria u kujdes që të gjitha kategoritë të përfitojnë, veçanërisht mësuesit, policët, infermierët, zjarrfikësit, ushtarët dhe pensionistët. Krahas kësaj, u implementua një program i gjerë social që përfshin rritje të pensioneve, shtesa për nënat leona, për fëmijë dhe forma të tjera subvencionesh që ndikojnë pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme