Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi dhe Saranda Bogujevci kanë mbajtur konferencë për medie për të folur rreth komisionit ad hoc të formuar në Kuvendin e Kosovës për krimet e luftës që ka kryer Serbia dhe mashtrimit siç thanë ata që po bëhet pak ditë pas formimit të tij, raporton Ekonomia Online.
Ata në këtë konferencë thonë se po tentohet të bëhet një mashtrim ende pa filluar punën ky Komision ngase krerët qeveritarë kanë filluar iniciativat për të kërkuar përgjegjësi për krimet e luftës duke tentuar të marrin meritat dhe se ky nuk është angazhim i tyre, por mashtrim.
” Për një njeri të painformuar ky angazhim mund të duket i sinqertë, krejtësisht i pafajshëm. Kjo është përpjekje e radhës për të mashtruar dhe hutuar publikun gjoja se PDK dhe Qeveria po angazhohen në lidhje me mohimin e krimeve të Serbisë. Kjo është një gënjeshtër e radhës e PDK-së për qëllime krejtësisht elektorale, partiake, për hutimin e publikut dhe për shkak të fillimit të punës së Gjykatës Speciale dhe hetimeve që është duke i zhvilluar ajo”, tha deputeti Kurteshi.
Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, tha se që 20 vjet pushtetarët i kanë mohuar krimet e Serbisë nga mosveprimi i tyre në këtë drejtim. Ajo shtoi se të përdoresh të kaluarën vetëm për interesa personale është e pa dinjitetshme.
Bogujevci kundërshtoi edhe idenë që të kërkohet nga ndërkombëtaret të krijohet një gjykatë për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, duke thënë se ajo është detyrë e shtetit të Kosovës.
“Mosdokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë është vetëmohim. Jo vetëm dokumentimi i humbjes së njerëzve, por edhe i dëmeve materiale. Mos përmendja e krimeve të luftës në negociata me Serbinë është vetëmohim…etj”, tha ajo, raporton EO.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, paralajmëroi se do t’ju shkruajë letër parlamenteve të vendeve mike, për të kërkuar nga ta hartimin e rezolutave që në mënyrë zyrtare të njohin Serbinë si shkaktar të krimeve në Kosovë. Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri Tahiri njoftuan nismën ligjore që penalizon mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.