Zyrtarët e Komunës së Podujevë kanë njoftuar se sot ka filluar dhënia e 500 pakove ushqimore për familjet në nevojë. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari, Nexhmi Rudari nëpërmjet rrjetit social Facebook.
“Sot filluam shpërndarjen e 500 pakove të para ushqimore për familjet në nevojë, të siguruara nga buxheti i Komunës së Podujevës. Për familjet nga qyteti shpërndarja po bëhet në Palestrën e Sporteve, ndërsa për familjet në fshatra kemi angazhuar staf dhe automjete të Komunës, për t’i dërguar pakot në secilën familje të evidentuar nga përfaqësuesi i fshatit/lagjes dhe nga listat e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, ka shkruar Nexhmi Rudari.
Por, asamblisti nga radhët e VV-së, Pajtim Balaj, ka reaguar për këtë status të nënkryterait të Komunës së Podujevës. Ai ka thënë se reklamimi i këtyre pakove në kohë fushate nga kandidati i LDK-së, është keqpërdorim i pozitës zyrtare.
“Kjo pako ushqimore është votuar nga të gjithë asamblistët e të gjitha partive politike dhe si e tillë nuk ka pse të promovohet në faqen e Nexhmi Rudarit. Është ndihmë e Komunës së Podujevës për qytetarët e Podujevës. Reklamimi i kësaj pakoje në faqen e kandidatit të LDK-së, në kohë fushate, është keqpërdorim i pozitës së tij dhe instrumentalizim i ndihmave në funksion të përfitimit të votës për zgjedhjet lokale”, ka shkruar këshilltari Balaj.
Ndihma për familjet në nevojë ka dhënë edhe Komuna e Fushë-Kosovës. Në një njoftim të kësaj komune, thuhet se të gjitha familjet që kanë bërë kërkesa për pako ushqimore e higjienike, po trajtohen me urgjencë duke iu ofruar shërbim të menjëhershëm. Sipas këtij njoftimi, Shtabi Emergjent ka deklaruar se kanë mjaft pako dhe se janë duke u marrë me të gjitha kërkesat që na vijnë në qendrën e thirrjeve.
“Një rol të veçantë për gjithë këtë angazhim, po e jep komisioni për vlerësim dhe shpërndarje të ndihmave, pastaj Qendra për Punë Sociale, Kryqi i Kuq Komunal si dhe donatorë e biznese që operojnë në komunën e Fushë-Kosovës. Angazhim tjetër për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19 është edhe pastrimi dhe dezinfektimi që po vazhdon edhe sot e që do të vazhdojë edhe ditëve në vijim në gjithë territorin e komunës së Fushë-Kosovës”, thuhet në njoftim.