Lëvizja Vetëvendosjes e quan “gjyq politik e të padrejtë”, gjykimin ndaj deputetëve të saj, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj e Faton Topalli, për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.
VV ka reaguar pasi medieve iu është ndaluar transmetimi i drejtpërdrejtë i seancës së sotme. “Ky është tregues i qartë që këtu është qëllim padrejtësia, andaj u duhet që ta kryejnë këtë gjykim politik fshehtas”, thekson kjo parti, nëpërmes një komunikate dërguar medieve.
“Duke qenë se ky gjykim politik po bëhet për përfaqësuesit e popullit, është në interes të qytetarëve ta kuptojnë dhe ta dinë se si po gjykohen sot, përfaqësuesit e tij”.
“Duke e ditur, po ashtu, që gjyqtari Beqir Kalludra ka një histori të dënimeve arbitrare pa prova e fakte e bën edhe më të rëndësishme publikimin e seancave”, theksohet më tutje në reagimin e VV-së.
“Në seancën e kaluar të kësaj çështje interesimi i publikut ishte shumë i lartë, që dëshmon edhe një herë se deputetët nuk janë vetëm dhe se qytetarët janë me ta”, vlerëson VV.