Lëvizje Vetëvendosje në konferencën e mbajtur për media ngriti si shqetësim përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Arbërie Nagavci, anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje tha se përjashtimi i AKA-së është bërë për shkak të komunikimit jo cilësor, raporton Ekonomia Online.
Nagavci ka bërë të ditur se bashkë me LDK-në janë duke mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet për këtë çështje.
“Nesër në ora 9 kemi ftuar në komision ministrin e Arsimit me të vetmen pikë të rendit të ditës. Së bashku me LDK jemi duke mbledh nënshkrime të ftojmë një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet për këtë”.
Ajo tha se për këtë përjashtim ka ndikuar ish-kryetari i agjencisë së akreditimit,nga radhët e pdk-së, Blerim Rexha.
“Kjo konferencë ka të bëjë me vendimin për përjashtimin e agjencisë së akredimit, vendim ky që ka pasoja për arsimin e lartë. Ky vendim vjen pas shkarkimit të bordit nga ministri i Arsimit. Është krejtësisht e papranueshme që arsimi i lartë të dënohet në këtë masë për beteja partiake. duhet mos të harrohet akti që shkarkimi është bërë për arsye partiake dhe kjo është e zakonshme për qeverisjen e vendit”.
“Beteja për pushtet dhe kontroll të arsimit të lartë publik e privat na ka sjellë në situatë që jemi sot. Një element i rëndësishëm është se vendimin për përjashtimin e agjencisë së akreditimir ka ardhur nga ndikimi i kryetari të kaluar Blerim Rexha që vjen nga radhët e PDK-së. Kujdesi dhe masat ndaj veprimit të këshillit të cilësisë do duhej të vinin më parë për akreditimet e kundërligjshme dhe krimit të organizuar”.
Nagavci ka kërkuar nga MAShT të merr veprimet e nevojshme për të përmirësuar këtë gjendje.
“Kjo që po ndodh është betejë e partive në pushtet për të favorizuar krerët e tyre. Përgjegjësia është e institucioneve të vendit, e vet kryeministri Haradinaj që ka kërkuar shkarkimin e anëtarëve të bordit. LVV e konsideron shqetësuese largimin nga regjistri, kërkon nga MAShT të merr veprimet e nevojshme për të përmirësuar këtë gjendje”.
“Të përgatitet ankesa brenda 90 ditësh, dhe të kryhen obligime ligjore, raportimi në Kuvend. Duhet iniciuar ndryshime ligjore për të rregulluar këtë çështje. Shkarkimi ka ardhur si pasojë e moskomunikimit të duhur”.
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është përjashtuar të martën nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
AKA në vitin 2015 ishte bërë pjesë e EQAR-it, që është regjistër i agjencive evropiane të sigurimit të cilësisë, të cilat dëshmojnë se standardet dhe procedurat e tyre janë në përputhje substanciale me parimet për sigurimin e cilësisë në Evropë.
Në vendimin për përjashtim thuhet se Komiteti i Regjistrit ka konstatuar se pas vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe të u.d. të drejtoreshës së Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, kjo agjenci “ka humbur aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë autonome”.
Ministri, Shyqiri Bytyqi, më 25 shtator të vitit të kaluar, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë (që njihet si Bordi i Agjencisë së Akreditimit), si dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë për Akreditim, me arsyetimin se procesi i akreditimit është përcjellë me shumë “parregullsi”.