VV: Komisionit Hetimor për keqpërdorimet me subvencionimin e librave shkollorë i ka skaduar mandati

Prishtinë | 31 Kor 2024 | 14:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka pretenduar se ka Komisionit për subvencionim të teksteve shkollore 2023/24 i ka skaduar mandati – komision ky që ishte themeluar për të hetuar procesin e blerjeve të librave gjatë mandatit të ministres Arbërie Nagavci.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka deklaruar se ishin vetë deputetët që kishin votuar planin që intervistimi i dëshmitarëve të kryhej deri më 31 korrik.

“Sipas dinamikës kohore të votuar nga vetë komisioni, u vendos që më 29 korrik të ishte intervistimi i dëshmitarëve”, tha Fejza.

“Më lejoni t’i theksoj tre pasaktësi: Kuvendi nuk është në pushim, Kuvendi e ka të përcaktuar me rregullore se kur shkon në pushim. Kuromi konstatohet në fillim të mbledhjes dhe jo siç ka bërë kryesuesi në emailin e dërguar anëtarëve. Grupet parlamentare ende janë duke mbajtur mbledhje”, ka thënë Fejza në konferencë për shtyp.

Ndërsa, sipas saj vendimi është marrë nga vetë Dreshaj, pa miratimin e anëtarëve të komisionit.

Para dy ditësh, deputeti Dreshaj ishte përgjigjur ndaj akuzave të VV-së duke thënë se po tenton t’i fsheh manipublimet me subvencionimin e teksteve shkollore.

“Në kundërshtim me Ligjin e me rregullore, paskan vendosur që në Komision të zgjedhin kryesuesin e zëvendëskryesuesin e Komisionit Hetimor. Por, këtë të drejtë e ka vetëm Seanca Plenare e Kuvendit, o të mjerë”, ka shkruar ai.

Më 30 korrik, për shkak të mungesë së kuorumit kishte dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për 2023/2024.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, u shpreh se komisioni është formuar nga vetë opozita, por deputetët e tyre nuk po marrin pjesë në mbledhje.

“Kërkesa është bërë para një jave nga kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj dhe sot nuk është i pranishëm. Komisionet kërkojnë mprehtësi të gjetjeve të fakteve dhe shumë punë”, deklaroi Muja.

Ndërkaq më 18 korrik, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë raportimit në këtë komision, pati thënë se “unë asnjëherë s’kam vjedhur”.

Të ngjashme