VV mbledh të enjten 3500 veta në shesh, e quan “performancë”

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 23:55 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka lajmëruar sot Policinë e Kosovës për një protestë që do ta organizojë të enjten në sheshet e Prishtinës.

Në shkresën drejtuar Policisë, Koordinatori për Organizimin e Aktiviteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Egzon Balaj ka bërë të ditur se në këtë protestë është paraparë të marrin pjesë 3 500 persona, shkruan Insajderi.

Sipas lajmërimit të LVV-së në Policinë e Kosovës, protesta do të mbahet për dy orë – nga 17:00 deri më 19:00 – të enjten. Përgatitjet teknike të protestës do të fillojnë në orën 16:00.

Dokumenti sugjeron se për këtë perfomancë do të jenë të angazhuar 200 aktivistë.

Lajmërimi i protestës nga Lëvizja Vetëvendosje vjen në periudhën kur pritet të publikohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatarin e presidentit Hashim Thaçi.

Por, në një prononcim për RTV Dukagjinin të martën, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka mohuar organizimin e protestës nga partia që ai i takon.

Por, ai nuk ka përjashtuar mundësinë që qytetarët të reagojnë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Të ngjashme