Kryesia e Vetëvendosjes në Kamenicë do të mbajë një takim për të diskutuar vendimin e Qëndron Kastratit për dorëheqjen e tij nga strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Bajram Mavriqi, kryetar i VV-së në Kamenicë, ka thënë për KALLXO.com se Kryesia do të mbajë një takim dhe do të dalëme një qëndrim rreth Qëndronit. “Jemi duke pritë me taku Qëndronin, se ai ka dhënë dorëheqje prej pozitave drejtuese, e hala nuk është deklaruar se a po del edhe prej Lëvizjes a veç prej pozitave drejtuese. Domethënë kjo është e paqartë”, ka thënë Mavriqi.
Kryetari i VV-së në Kamenicë ka thënë se nuk do ta përkrahin Qëndron Kastratin nëse ai zgjedhë të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Normalisht se në rast se largohet prej Lëvizjes ne nuk e mbështesim me përjashtim kur ka ndonjë punë të mirë në dobi të qytetarëve, ashtu kishin me mbështetë edhe asambleistët e subjekteve të tjera, përndryshe jo, nuk do të ketë bashkëpunim”, ka theksuar Mavriqi.
Asmableisti tjetër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kamenicë, Shefik Kastrati, ka thënë se Qëndron Kastrati do ta ketë mbështetjen e tij në projektet që janë në dobi të qytetarëve të Kamenicës.
“Në projektet që i ka mirë kemi me përkrahë pse jo. Ai është kryetar i Kamenicës, ky është mendimi im personal. Ai është vendim i tij personal (dorëheqja nga strukturat e VV-së), ai natyrisht si kryetar duhet me bashkëpunu me asambleistët e Vetëvendosjes dhe në projektet që janë të mira, janë të qytetarëve, asambleistët edhe unë bashkë me ta absolutisht që e përkrahi dhe besoj që ai ka me bashkëpunu me asambleistat”, ka shtuar Kastrati.
Afrim Dërvishi, asmbleisti i dytë më i votuar në komunën e Kamenicës ka thënë për KALLXO.com se ai do ta mbështesë kryetarin e Kamenicës nëse ai do të jetë konstruktiv dhe i arsyeshëm në raport me kërkesat e qytetarëve.
“Në Vetëvendosje ne nuk përkrahim njerëz blanko, veç pse e ka emrin apo mbiemrin ashtu, ne në Vetëvendosje në Kamenicë i përkrahim idetë dhe projektet që janë në të mirën e qytetarëve, nëse Qëndroni vazhdon me qenë konstruktiv dhe i arsyeshëm në raport me kërkesat e qytetarëve ne e mbështesim”, ka theksuar Dërvishi.
Qëndron Kastrati, kryetari i Kamenicës, i votuar në zgjedhjet e vitit të kaluar si kandidat i Vetëvendosjes, dje njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.