VV në Prishtinë: Buxheti për vitin tjetër nuk i shërben zhvillimit, u kontrabandua në seancë të paligjshme

Prishtinë | 14 Sht 2023 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Grupi Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, vlerëson si joligjore dhe të parregullt seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, në të cilën u miratua buxheti i Kryeqytetit për vitin 2024.

Siç është i njoftuar opinioni, për shkak të paqartësive ligjore, në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë gjysma e asamblistëve të Kuvendit Komunal. Gjithashtu edhe kjo seancë, si disa tjera më herët, kontestohet dhe nuk pranohet nga MAPL si organ që me Kushtetutë është përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve dhe zbatimin e ligjshmërisë nga niveli komunal.

Ky buxhet i miratuar sot, i kontestuar ligjërisht edhe nga organizata të shoqërisë civile, i kontrabanduar në seancë të jashtëzakonshme e të paligjshme, është në fakt buxhet për partitë në pushtet, LDK e PDK, për klientelen e tyre, jo për zhvillim, jo për Prishtinën.

Këto veprime të koalicionit aktual qeverisës, injorimi dhe mos respektimi i vendimeve të organeve mbikëqyrëse përveç se janë të papranueshme do të shkaktojnë dëm të pariparueshëm në zhvillimin e qytetit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Jemi të bindur se kjo do të dëshmohet shumë shpejt.

Besojmë thellësisht se kjo seancë dhe vendimet e miratuara në të nuk do t’i kalojnë filtrat ligjor. Kërkojmë nga organet përgjegjëse të të gjitha niveleve veprime konkrete e emergjente në kthimin e ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës.

Vendimet dhe veprimet që mirren duke shkelur ligjet e procedurat, pa transparencë e në mënyrë jo demokratike nuk duhet toleruar më.

Të ngjashme