Vitin 2018, Lëvizja Vetëvendosje po e cilëson si një vit për të cilin, duhet të kërkohet, që mos të përsëritet më kurrë.
Sipas VV-së, po përfundohet një vit për të cilin numërimi i skandaleve të qeverisë dhe presidentit e shndërruan në një hobi për shumicën prej nesh, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i parë i LV-së, Besnik Bislimi, ka përmendur disa dështime të Qeverisë së Kosovës. Sipas tij, filluan nga demarkacioni e deri tek formimi i ushtrisë, sipas tij, pa buxhet.
“Një vit ku ditë për ditë e javë për javë na u tha që liberalizimin e kemi të sigurtë, meqë u treguam zemërgjerë me territor. Një vit ku si shtet dështuam me përpjekjet tona për anëtarësim në INTERPOL, dështuam me liberalizim dhe në vend të rritjes së numrit të shteteve që e njohin pavarësinë tonë, po përballemi me tërheqje të këtyre njohjeve. Një vit gjatë të cilit kriteri kryesor për matjen e të arriturave të qeveritarëve u bë shpejtësia e vrapit të kryeministrit dhe ecjet nëpër bjeshkë të presidentit. Dhe rritja e numrit të ministrave nën akuzë. Një vit ku 11 muaj dështime e skandale u përpoqën t’i mbulojnë me një simbolikë të riemërimit të forcës së sigurisë në një ushtri pa buxhet, me heqje të kushedi satës herë të kontrolleve të dyfishta doganore me Shqipërinë, dhe më taksën e vendosur për importet nga Serbia e BeH”, tha Bislimi.
Sipas tij, nëse i hedhet një sy publikimeve të agjencisë së statistikave të Kosovës, sheh se të dhënat mbi punësimin nuk janë të grupuara në seksionin e informatave për zhvillimin ekonomik.
Sa i përket punësimit në vend, Bislimi tha se ka rënje të dukshme të punësimit.
“Çfarë urimi mund të përcjellim për 72% të të punësuarve të cilët punojnë me kontrata afatshkurtëra, që mund të ndërpriten brenda ditës. Në ata 347.000 vetë që kanë patur fatin të kenë një vend punë sado të paqëndrueshëm, vetëm një e dhjeta janë nën moshën 24 vjeç. Nga 334 të rinj në moshën 15-24 vjeç, vetëm 1 në 9 prej tyre ka një vend pune. Çfarë urimi të përcjellim për këta të rinj, prej të cilëve pothuaj një e treta, e që janë rreth 100.000, nuk ishin as në shkollim, as punësim apo trajnim? Si duhet të binden ata që migrimi nuk është zgjidhje? Në Kosovë janë 45.000 të rinj që kërkojnë punë në vazhdimësi e nuk gjejnë. Prej tyre 1/3 ende pa mbushur 25 vite bëhen veteranë të papunësisë, meqë hynë në kategorinë e të papunëve afatgjatë. Ata bëhen të papunë strukturorë ende pa e filluar karrierën e tyre në treg të punës”, u shpreh Bislimi, raporton EO.
Sipas Vetëvendosjes, qytetarëve u ofrohen shërbime jo adekuate, shëndetësi jo e mirë, çmime të larta e shumë të tjera.
“Ju ofron shëndetësi të shekullit të kaluar dhe barëra me pagesë që nuk mund t’I blejnë. Ju ofron arsim për fëmijët e tyre që i bëjnë ata të papunë strukturorë sapo të fusin diplomën në xhep. Ju ofron aq infrastrukturë bazike, sa edhe ujin si shërbim publik u thotë të mos e pijnë meqë është i papijshëm. Ju ofron luksin e statistikave moderne që për çdo ditë u tregon se sa i rrezikshëm është ajri që e thithin. Dhe ju kërkohet ryshfet sa herë të kenë nevojë për ndonjë shërbim nga administrata publike. Kjo pra është oferta e qeverisë sonë për qytetarët tanë”, pohoi Bislimi.
Ai foli edhe për partinë Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, po zgjerohen me shpejtësi edhe në mërgatë.
Si grup parlamentarë, përmendi se kanë, organizuar mbi 10 tryeza diskutimi e 11 debate parlamentare, kanë iniciuar 9 rezoluta shumë të rëndësishme, 7 interpelanca dhe 3 projektligje.