Aktivistët e Vetëvendosjes në Obiliqi organizuan sot një aksion simbolik për të sensibilizuar opinionin për dëmet nga deponia e mbeturinave në Llazarevë.
Kjo deponi e cila është vendosur ilegalisht aty në vitin 2011, rrezikon jetën e qytetarëve në fshatrat Bakshi, Llazarevë, Raskovë, Mazgit dhe Milloshevë. Sipas profesionistëve të kimisë toksikologjike këto elementë të cilat janë gjetur në deponi kanë potencial shumë të lartë kancerogjen, thanë aktivistët.
Aktivistët, njëkohësisht asambleistët e Kuvendit Komunal të Kastriotit kanë bërë disa herë apel për mbylljen e kësaj deponie, thirrje e cila ka rezultuar me premtimin se deponia do mbyllej, gjë që nuk ka ndodhur ende. “Biznesi i cili ka parcelën me qera është kompania ‘Geokos’ me pronar Nuredin Humollin. Ky biznes nuk posedon as leje nga niveli lokal e as nga ai qendror. Pra, arsyeja e vetme pse kjo deponi vazhdon te ekzistojë është për shkak lidhjes së afërt që ky pronar ka me Gani Thaçin, vëllaun e Hashim Thaçit”, thuhet në një komunikatë të këtij subjekti opozitar.
VV bënë thirrje që kjo deponi të mbyllet sa më parë në mënyrë që të sigurohet mirëqenia e të gjithë qytetarëve të Obiliqit.