VV thotë se vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit- Opozita kritikon Kurtin për mungesë vullneti

Prishtinë | 09 Pri 2026 | 09:12 | Nga Gzim Mujaj

Procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon të mbetet pa zgjidhje konkrete, ndërsa dallimet mes pozitës dhe opozitës për mënyrën e arritjes së një marrëveshjeje po thellohen, raporton Ekonomia Online.

Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje shprehen optimistë se përmes takimeve me subjektet politike mund të sigurohet zgjedhja e presidentit dhe të shmangen zgjedhjet e reja, partitë opozitare – PDK dhe AAK – vlerësojnë se këto përpjekje nuk janë serioze dhe synojnë zhvendosjen e përgjegjësisë te opozita në rast të dështimit të procesit.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti është duke vazhduar angazhimet për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

“E dini që kryeministri është takuar me kryetarin e LDK-së, zotin Abdixhiku, në ditët e kaluara. Besoj që po vazhdojnë angazhimet e tij për të gjetur një zgjidhje edhe jam e bindur që angazhimi i tij do të jetë maksimal që vendit t’i ofrojmë një president të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në këtë legjislaturë edhe të shmangim edhe një palë zgjedhje të reja. Për të gjitha detajet do të njoftoheni me kohë”, tha ajo.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, e ka bërë përgjegjës kryeministrin Kurti për moszgjedhjen eventuale të presidentit, duke theksuar se gjithçka varet nga vullneti i tij politik.

“Unë mendoj që në qoftë se ka vullnet për ta zgjedh presidentin nga Albin Kurti, atëherë zgjedhja është e lehtë. Në qoftë se nuk ka vullnet për ta zgjedh presidentin, ai do përpiqet ta akuzojë opozitën që këta janë fajtorë që nuk u zgjodh presidenti. Tani cila është arsyeja, ne po e dimë. Dhe tani nuk dua që të të ndalem te kritika sa i përket politikave dhe politikave të qeverisë së Kosovës në shumë raporte, por për këtë çështje do të, fajtori, nëse nuk zgjidhet presidenti është Albin Kurti, nuk është dikush tjetër”, tha ai.

Ai shtoi se mungon transparenca për përmbajtjen e takimeve dhe kërkoi që liderët politikë të ulen bashkë për të arritur një marrëveshje.

“Nuk e di unë, ai e di. Ai ka bërë takime dhe po bëjnë takime teta-tet. Dhe tani përveç konferencave për shtyp dhe informatave që mblidhen tak-tuk aty, nuk ka diçka reale. Në qoftë se nuk ulen komisionet ose nivelet pse mos me u ul krerët e partive njëri me tjetrin me diskutu dhe me trajtu temën. Me trajtu temën qysh duhet, me idenë që me bë, me kriju institucionin e presidentit, me gjet atë që mund të kryej detyrën e tij. Jo dikë që don me i bë konkurencë, jo dikë që don me qenë pengesë në ato veçanërisht në politikën e jashtme me idenë që kushtetuta i jep detyrime njërit tjetrit se kush është më i fuqishëm dhe kujt i jep fuqi më shumë kushtetuta për politikë të jashtme. Prandaj unë po besoj dhe jam shumë i bindur se në qoftë se Albini është i interesuar për të zgjedh presidentin e Kosovës mundësitë i ka që të bashkëpunojë me opozitën, bashkëpunojë me partitë politike për ta gjetur një person i cili është i pranueshëm për të gjithë”, tha ai.

Kritika ka adresuar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila ka vlerësuar se takimet e organizuara nga Kurti nuk synojnë zgjidhje, por shtyrje të procesit.

“Unë po mendoj që këto takime po i organizon për moszgjedhje në fakt, sepse e kuptuam tashmë politikat e zotit Kurti se ai dëshiron të ketë gjithçka nën kontroll dhe tash dëshiron ta ketë edhe pozitën e presidentit dhe pikërisht ne e kemi thënë, e kemi thënë hapur se don ta kap komplet shtetin. Ka ardhë në pushtet me teorinë e ç’kapjes së shtetit, ndërsa po e shohim se ka kap çdo bord, çdo agjencion edhe çdo dikaster të qeverisë qeveritare, duke rritur edhe numrin e dikasterve, duke rritur edhe numrin e ministrive”, tha ajo.

Ajo shtoi se qëllimi i këtyre takimeve është zgjedhja e një presidenti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe fajësimi i opozitës në rast të dështimit.

“Dhe po e shoh që s’ka ndonjë zgjidhje sepse krejt qëllimi është i këtij organizimi të ftesave që po ju bëhet duke aluduar, sepse nuk e di se çka është diskutuar brenda, duke aluduar edhe në takimet paraprake, ky dëshiron ta zgjedhë një president që është i Lëvizjes Vetëvendosje dhe tash tendenca para opinionit thotë që ne po organizojmë takime, po i ftojmë partitë opozitare që të jenë në takim, thjesht janë populizëm, sepse në fakt nuk dëshiron ta jep pozitën e presidentit për asnjë parti politike dhe fajin nëse shkohet në zgjedhje të reja, domethënë për 15 muaj tri parë zgjedhje parlamentare e ka Lëvizja Vetëvendosje duke e ditur sa është buxheti dhe sa buxhet shpenzohet për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Normal që fajtori kryesor është Albin Kurti dhe dëshiron të mbet pa mbikëqyrje, sepse ju e dini që gati një vit ai po e mban pozitën, e ka mbajtur pozicionin e kryeministrit në detyrë duke mos pas mbikëqyrje parlamentare. I konvenon të mos ballafaqohet me deputetët, mos ballafaqohet me partitë opozitare, qoftë në kuvend, qoftë nëpër komisione parlamentare dhe dëshiron edhe me këtë rast të organizojë zgjedhje edhe tash të hyj mandati si kryeministër ose ta shtyj zvarritjen që Kosova të mos ketë stabilitet as ekonomik, as politik, as asgjë tjetër”, tha ajo.

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha më 7 prill se është e gatshme të ndihmojë në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Të ngjashme