Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin Dardan Sejdiu, kanë takuar sot ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.
Gjatë këtij takimi u diskutua rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit dhe mbi oraret kushtetuese të formimit të koalicioneve qeverisëse, me ç’rast z. Kurti e z. Sejdiu folën mbi 40 masat konkrete për konsolidimin e zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe shprehën gatishmërinë e Vetëvendosjes për të drejtuar qeverinë, thuhet në një njoftim të VV-së.
“Këto 40 prioritete që burojnë nga Alternativa qeverisëse mbi Shtetin e së Drejtës, Shtetin Zhvillimor dhe Shtetin Social, u prezantuan si projekti me të cilin Lëvizja VETËVENDOSJE! synon ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik e social të tij, përmes qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti”.
Ambasadorja kroate, Kapitanoviq, thuhet se shprehu mbështetjen e saj dhe të shtetit kroat për vendin tonë, si dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes Kosovës e Kroacisë.
Në takim, po ashtu, u shpalosën qëndrimet e VV-së mbi dialogun dhe tema të tjera, ku u diskutua veçanërisht rëndësia e angazhimit të përbashkët për të mundësuar avancimin e Kosovës në integrimet evropian dhe bashkëpunimin për NATO-n. Gjithashtu, u veçua edhe roli i mërgatës në ekonominë vendore me përvoja të përbashkëta të Kosovës e Kroacisë në këtë fushë.
Në fund, nga të dyja palët pati dakordim për të vazhduar komunikimin, për takime të tjera në të ardhmen e për thellim të bashkëpunimit.