VV: Vuçiqi nuk është i mirëpritur në Tiranë

Prishtinë | 04 Maj 2019 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë të sqarojnë menjëherë dhe publikisht se kush është ftuar e kush vjen në Tiranë në datat 8 dhe 9 maj, dhe cilat do jenë temat e këtij takimi, pasi nga mediat është thënë se në vizitë do të jetë Vuçiqi.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë të sqarojnë menjëherë dhe publikisht se kush është ftuar e kush vjen në Tiranë në datat 8 dhe 9 maj, dhe cilat do jenë temat e këtij takimi. Ky sqarim nuk mund të zëvendësohet me fjalë si “janë ftuar liderët e Ballkanit”, apo qoftë edhe duke thënë se do të vijnë përfaqësues të BE-së, si Federica Mogherini, e cila ka mbajtur hapur një qëndrim në favor të politikave të Vuçiçit. Liderët e Ballkanit nuk janë të njëjtë në raport me shqiptarët dhe Shqipërinë, dhe prandaj nuk mund të trajtohen të gjithë njëlloj nga shteti shqiptar. Nëse Vuçiqi është ftuar e do të vijë në Tiranë, me ose pa vëllain e politikave të tij ekstremiste, Dodikun, atëherë reagimi qytetar ka për të qenë i pashmangshëm”.

Njoftimi i plotë:

Nga mediat dhe përfaqësues të huaj është raportuar se Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik do të vizitojnë Tiranën në datat 8 dhe 9 maj për të marrë pjesë në takimin “Brdo-Brione.

Për këtë vizitë të tyre nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar nga asnjë prej institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Institucionet kanë zgjedhur heshtjen dhe mostransparencën, pikërisht në një periudhë kur Serbia synon haptazi ekspansion në Kosovë e në Bosnjë.

Vuçiqi dhe Dodiku kanë gjetur bashkëpunëtorë për këto projekte supremaciste serbe edhe në mesin e pushtetarëve shqiptarë si Presidenti Hashim Thaçi, që si politikan ka marrë vazhdimisht përkrahjen nga Kryeministri Edi Rama, duke vendosur në rrezik interesat e gjithë kombit shqiptar. Mediat kanë raportuar gjithashtu se temë kryesore e kësaj vizite do të jetë dialogu Kosovë-Serbi. 

Kujtojmë se Aleksandar Vuçiq ka qenë Ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë. Që Vuçiqi mbetet i njëjti, këtë e tregon edhe deklarimi i tij i kohëve të fundit se Millosheviçi ka qenë “një lider i madh”. Ai dhe kabineti i tij qeverisës vazhdojnë të mohojnë sistematikisht masakrat e shumta që kanë ndodhur në Kosovë, 20 vjetori i të cilave po shënohet këtë vit për çdo javë në komunat e ndryshme të Kosovës. Vuçiçi dhe Serbia nuk kanë kërkuar kurrë falje për krimet e tyre, nuk e njohin dhe e luftojnë pavarësinë e Kosovës, nuk kanë dënuar asnjë kriminel për 20.000 përdhunimet e grave shqiptare gjatë luftës, nuk i kanë kthyer mbi 1600 të pagjetur, nuk kanë paguar kurrë dëmshpërblimet e luftës, nuk kanë kthyer fondin pensional dhe artefaktet e vjedhura kulturore, dhe vazdojnë të shtypin për çdo ditë të drejtat politike e kulturore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që janë duke përjetuar edhe një gjendje të mjerueshme ekonomike. 

Për më shumë, Milorad Dodik drejton “Republika Srpska” që është themeluar mbi gjenocidin e Serbisë ndaj boshnjakëve. Vendimi i Tribunalit të Hagës për ta dënuar për krime lufte dhe gjenocid udhëheqësin e “Republika Srpska”, Radovan Karaxhixhin, nuk vendosi drejtësi, pasi projekti i tij shoven mbijetoi dhe drejtohet sot nga Dodiku.

Politikat e Dodikut janë arsyeja pse Bosnje Hercegovina është kthyer në një shtet që nuk funksionon normalisht, dhe që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Vuçiçi dhe Dodiku janë aleatët kryesorë të Putinit në Ballkan, dhe mënyra se si Rusia tenton të shtrijë ndikimin e saj ushtarak, ekonomik dhe politik në rajon. 

Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë është një mjet i pamjaftueshëm për të vendosur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, e cila praktikon ilegalisht “dumping” në Kosovë e Shqipëri, duke subvencionuar produket e saj për t’i shitur nën çmimin e tregut, me synimin për të dominuar dhe shkatërruar produktin vendas shqiptar, e për pasojë ekonominë tonë kombëtare. Marrë parasysh luftën politike dhe kërcënimet e vazhdueshme ushtarake, bashkë me ofendimet e vazhdueshme, të qeverisë së Vuçiqit ndaj kombit shqiptar, masat e reciprocitetit ndaj Serbisë duhen shtuar dhe plotësuar, dhe jo hequr apo pezulluar.     

Të ngjashme