Wagner pretendon se ka pushtuar një fshat afër Bahmutit

Prishtinë | 12 Shk 2023 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Themeluesi i grupit të mercenarëve rusë, Wagner, tha se forcat e tij kanë marrë kontrollin e Krasna Hora, një fshat në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, që gjendet afër Bahmutit, objektivit kyç të forcave ruse.

“Sot vendbanimi i Krasna Horës është marrë nga trupat sulmuese të kompanisë private ushtarake të Wagner-it”, tha themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prighozin, përmes një audio-mesazhi të postuar në Telegram më 12 shkurt.

Në një video të ndarë janë shfaqur luftëtarët e Wagner-it, që dukej se gjendeshin në hyrje të Krasna Horës. Radio Evropa e Lirë e ka pasur të pamundur të verifikojë pretendimin e Wagner-it se ka pushtuar këtë fshat, që para luftës kishte një popullsi prej 600 banorësh.

Forcat ruse, të mbështetura nga Wagner-i, e kanë bërë Bahmutin si objektiv kyç të ofensivës së tyre në lindje të Ukrainës. Prigozhin më 12 shkurt u zotua se Wagner do të marrë qytetin, që gjendet përgjatë disa autostradave të rëndësishme, teksa ky qytet strategjik është nën sulm për muaj të tërë.

Kievi është i bindur se pas muajsh të ngecjeve në fushëbetejë, presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron të arrijë një sukses në fushëbetejë para përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Prigozhin tha më 10 shkurt se forcat ruse duhet të marrin Bahmutin në mënyrë që fushata e tyre ushtarake të ketë sukses. Por, ai pranoi se ata po përballen me rezistencë të fuqishme nga forcat ukrainase.

Inteligjenca britanike tha se bazuar në statistikat e ushtrisë ukrainase, forcat ruse kanë pësuar mbi 820 viktima në ditë në dy javët e fundit, i bie që këto shifra lënë të kuptojnë se këto janë humbjet më të mëdha të Rusisë që nga java e parë e pushtimit, që nisi më 24 shkurt 2022.

Ky vlerësim sa i përket numrit të lartë të viktimave në mesin e palës ruse i atribuohet mungesës së personelit të trajnuar, koordinimit dhe burimeve dhe inteligjenca britanike mori si shembull përpjekjet ruse për marrjen e Bahmutit.

Ushtria ukrainase raportoi më 12 shkurt se ka zmbrapsur 11 sulme të forcave ruse në rajonet lindore të Luhanskut dhe Donjeckut gjatë 24 orëve të fundit.

Ushtria ruse tha më 11 shkurt se ka kryer një “sulm masiv” me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase dhe ka bllokuar një hekurudhë dhe rrugë tokësore që përdoren për të dërguar armët perëndimore për forcat ukrainase.

Ky sulm shkaktoi ndërprerje të energjisë në shumë qytete dhe fshatra edhe pse zyrtarët ukrainas u shprehën optimistë se Kievi dhe rajonet në jug dhe perëndim të shtetit do të jenë në gjendje të shmangin reduktimet e energjisë elektrike.

Të ngjashme