Ish ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka mbajtur një fjalim në akademinë përkujtimore në 19 vjetorin e masakrës së Reçakut.
Walker derisa ka folur ka thënë se ka qenë në çdo përvjetor kur i është dhënë mundësia për të bërë homazhe në Reçak, por që ka vetëm tre vjet që atje sheh liderët kosovarë.
Walker, më tej një lule të cilën sot e morri si dhuratë në Reçak, nga nj vajzë e vogël, ia ka dhuruar presidentit Thaçit me porosinë që ta mbajë në zyrë si kujtim për viktimat e Reçakut.
“Një vajzë e vogël, mbesa apo stërmbesa, ndoshta e një prej viktimave të Reçakut, më dha këtë lule, të cilën dua t’ia jap presidentit, Hashim Thaçi”.
“Mbaje diku në një libër në zyrën tënde për t’i kujtuar viktimat e Reçakut”, është shprehur Walker.
Ai është shprehur kritik për udhëheqësit shtetëror të Kosovës, të cilët ka thënë se ka vetëm tre vjetët e fundit që shkojnë atje për të nderuar 45 martirët e rënë.
“Sa herë që jam këtu ka një mikpritje të veçantë për mua, për çdo përvjetor. Kam vërejtur vetëm tre vjet më parë, që ka ndodhur që pushteti ka nderuar Reçakun, duke ardhur këtu në emër të krejt Kosovës”, tha ai.
Walker më tej tha se do të bëjë gjithçka për të ardhur në çdo përvjetor për aq sa do të jetojë.
“E kam kaluar jetën duke udhëtuar gjithë botën. Dua të jem me shqiptarët sa më shumë që të kem mundësi. Kam për të ju thënë se nga janari 15 janari 1999 kam bërë shumë miq, por nuk ka më të rëndësishëm për mua se sa fshatarët e Reçakut”, ka shtuar ai.