Çfarëdo nisme rajonale duhet të krijojë terren për anëtarësim të plotë dhe të sigurojë perspektivë të qartë evropiane për Ballkanin Perëndimor, ka thënë eksperti gjerman për Ballkanin, Bodo Weber.
Teksa i ka komentuar zhvillimet e fundit rreth mini-Shengenit dhe refuzimin e Kosovës që t’i bashkohet atij, Weber ka deklaruar se edhe kjo iniciativë, sikurse ato të mëhershmet, ka shumë paqartësi.
“Nuk i kemi parë detajet konkrete sa i përket bashkëpunimit rajonal. Ka ndërlikime dhe ende po vazhdojnë pengesat në lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”, ka thënë Weber në një intervistë për “Kohën Ditore”.
Por analisti gjerman në Këshillin për Politika të Demokratizimit (Democratization Policy Council – DPC) thotë se Kosova duhet të kërkojë më shumë sqarime rreth kësaj nisme dhe nëse vërtet ekziston vullneti për heqjen e barrierave të deritashme, para se të refuzojë përfundimisht pjesëmarrjen.
Weber ka folur edhe për ndryshimin që prodhoi rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit dhe përpjekjet e opozitës së deritashme për arritjen e koalicionit qeverisës. Sa i përket temës së dialogut me Serbinë, Weber ka theksuar se marrëveshja nuk mund të arrihet pa një kornizë të qartë. Sipas tij, nga tryeza e negociatave duhet shmangur çfarëdo bisedimesh që implikojnë ndarje apo shkëmbim të territoreve.
Iniciativat rajonale, pa rezultate
KD: Z. Weber, Kosova refuzoi të bëhet pjesë e iniciativës për krijimin e një mini-Shengeni ballkanik. Pati zëra që e kritikuan Kosovën se po vetëpërjashtohet nga këto nisma. Si i keni parë këto zhvillime?
Weber: E ashtuquajtura iniciativë për krijimin e një mini-Shengeni duhet parë në dy kontekste. E para, 15 vjetët e fundit kemi parë shumë iniciativa rajonale, shumica prej të cilave kanë dhënë rezultate të kufizuara. E fundit ishte Procesi i Berlinit, i cili megjithatë ka prodhuar më shumë përparim, krahasuar me nismat e kaluara. Por nëse shikohet në aspektin e përgjithshëm, ato kanë sjellë shumë pak përfitime për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke parë problemet që ekzistojnë aktualisht, sikurse ato që ndërlidhen me CEFTA-n, për lëvizjen e lirë të mallrave, barrierat që ka vendosur Serbia – janë dëshmi se nismat e tilla nuk është se kanë ndryshuar diçka. Në parim, çfarëdo iniciative e re është pozitive, por duhet pasur kujdes dhe ngritur pikëpyetje, duke marrë parasysh të kaluarën, në kuptimin e mungesës së zbatimit të obligimeve.
Aspekti tjetër ka të bëjë me kontekstin më të gjerë politik dhe qëndrimin e Francës sa i përket procesit të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor. Jam i sigurt se iniciatorët e idesë së mini-Shengenit kanë rënë brenda atij konteksti.