Weber: Prishtina po kërkon nga Berlini, Parisi dhe Roma të votojnë diçka që do të mund ta shohin më vonë

Prishtinë | 16 Maj 2024 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, është shprehur skeptik se letra që dërgoi sot Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ku njoftoi se Kosova po përgatit një draft-statut për Asociacionin dhe se do ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të muajit, do të mjaftojë për Perëndimin që të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Weber ka thënë se Prishtina po kërkon nga Berlini, Parisi dhe Roma të votojnë këtë javë për diçka që do të mund ta shohin më vonë

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës do të mblidhet më 16 dhe më 17 maj. Kosova nuk është në agjendë, dhe ka pak mundësi të futet.

“Jam skeptik, duke marrë parasysh se refuzimi i Qeverisë së [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të prezantuar draftin e vet, ka shtyrë [të dërguarin evropian për dialog, Mirosllav] Lajçakun dhe QUINT-in të hartojnë propozimin e tyre, dhe për faktin që Prishtina po kërkon nga Berlini, Parisi dhe Roma të votojnë këtë javë për diçka që do të mund ta shohin më vonë”, ka deklaruar Weber për Radio Evropa e Lirë.

Lidhur me diskutimet nëse Kosova do të mund të anëtarësohet ose jo këtë javë në Këshillin e Evropës, ai rikujton se ngjashëm ka ndodhur edhe në të kaluarën, duke përmendur shembullin e mosanëtarësimit të Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).

Sipas analistit gjerman, diçka e tillë ka ndodhur dhe mund të ndodhë prapë në të ardhmen, jo pse do të ketë kundërshtime prej vendeve mosnjohëse, por sepse Kosova nuk koordinohet si duhet me aleatët e saj.

Weber thotë se Perëndimi ka pasur në vazhdimësi qasje të padrejtë ndaj Kosovës në vitet e fundit, dhe, sipas tij, kjo qasje bazën e ka te “dialogu i dështuar” Kosovë-Serbi.

Arsyet, sipas tij, janë: Distancimi prej kornizës fillestare për negocimin e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse, për një marrëveshje të ndërmjetme, sikurse ajo Bazë dhe ajo e Ohrit, pa një strategji afatgjate; dhe Qasja e Perëndimit, që nuk i përcakton vetë rregullat, por e ledhaton dhe e pyet Serbinë se çfarë është në gjendje të pranojë.

Përveç kushteve lidhur me anëtarësimin nëpër organizata ndërkombëtare, Weber e sheh si të padrejtë qasjen e Perëndimit ndaj Kosovës edhe me vënien e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës për tensionet në veri, në maj të 2023-tës, teksa nuk e ka ndëshkuar Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë.

Weber i var shpresat te përbërja e re diplomatike pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian.

“Shpresoj që do të krijohet një mundësi e re për të shtyrë Perëndimin që të ndryshojë qasjen në dialog, dhe të pranojë se qasja aktuale nuk është duke funksionuar, dhe se ekziston nevoja për një strategji të re”, thotë Weber.

Të ngjashme