Deontay Wilder beson se Tyson Fury ndihet i frikësuar dhe se do të përjetojë net të pagjumë para rimeçit mes tyre për titullin e kampionit të botës në fund të këtij muaji.
Wilder dhe Fury do të ballafaqohen në Las Vegas më 22 shkurt, për titullin e botës në WBC, pronar i të cilit është amerikani, transmeton Gazeta Express.
Meçi i parë mes tyre në dhjetor të 2018-es mbaroi me barazim kontrovers, me amerikanin që e rrëzoi në dysheme dy herë Furyn, edhe pse edhe anglezi pretendoi se fitorja i takonte atij.
“Kur dikush të rrëzon, këtë gjë nuk e harron kurrë, e as mënyrën sesi je rrëzuar”, tha Wilder.
Duke folur të martën mbrëma në një konferencë për media në SHAB, 34-vjeçari shtoi: “Thellë brenda ndiej se Fury është nervoz, bile shumë nervoz me atë që ndodhi herën e parë”.
“Kur futesh në ring për herën e dytë duhet të jetë stresuese dhe patjetër të lë pa gjumë natën. Ai është i merakosur dhe nuk mendoj se vetëbesimin e ka të lartë, për shkak të asaj që ia kam bërë në meçin e parë”, shtoi ai.
Të dy boksierët janë të pamposhtur dhe barazimi në Los Angeles para 14 muajve është hera e vetme që ata nuk e kanë fituar një meç profesional.