Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks në versionin WBC, Deontay Wilder, ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se ai do të përballet me Tyson Furyn këtë vit.
Amerikani 32-vjeçar shkaktoi një tollovi me skuadrën e Furyt të premten në matjet zyrtare në Belfast, në prag të përballjes që Fury të shtunën do ta ketë me italianin Francesco Pianeta, shkruan sot Koha Ditore.
“Menjëherë pasi ai ta largojë këtë djalë nga rruga do të përfundojë marrëveshja. Është kaq e thjeshtë”, ka thënë Wilder.
Menaxheri i Wilderit, Shelly Finkel, ka thënë se përballja do të zhvillohet në nëntor apo dhjetor dhe destinacion mund të jetë New Yorku apo Las Vegasi.
I pyetur për një mesazh që ka për Furyn 30-vjeçar, Wilder ka thënë: “Bëhu gati. Unë po vij të nokautoj. Kampioni është këtu dhe ai do ta nokautojë Tyson Furyn”.