Will Smith akuzohet se përdori AI-në për ta shtuar turmën e adhuruesve

Prishtinë | 26 Gus 2025 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Artisti i njohur amerikan, Will Smith, është akuzuar se e ka përdorur inteligjencën artificiale në një video promovuese për turneun e tij veror, ka raportuar “The Independent”. Sipas shkrimit, dyshimet janë që me inteligjencë artificiale është rritur numri i fansave.

Aktori dhe reperi i njohur nisi pjesën e turneut në Britani “Based on a True Story” të dielën (24 gusht) në Scarborough, në mbështetje të albumit të tij më të ri.

Para koncerteve, në kanalin e tij zyrtar në YouTube u publikua një video me titull: “Pjesa ime e preferuar e turneut është kur ju shoh nga afër. Faleminderit që edhe ju më shihni mua”.

Mirëpo, pamjet kanë ngjallur dyshime. Në to shihen fytyra të deformuara të fansave, duar me gjashtë gishta, gjymtyrë të mjegulluara dhe detaje të tjera të çuditshme që shpesh ndodhin në imazhet e gjeneruara nga AI-ja.

Në një prej sekuencave, një burrë mban një pankartë ku shkruan: “‘You Can Make It’ më ndihmoi të mbijetoj kancerin. Faleminderit Will”.

Të ngjashme