William Walker i përgjigjet Vuçiqit: Ai është si Millosheviqi, e di që masakra në Reçak ka ndodhur

Prishtinë | 13 Jan 2020 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori i OSBE-së, Wiliam Walker iu është përgjigjur presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që deklaroi se Walker kishte inskenuar masakrën e Reçakut.

Walker që në Kosovë po qëndron për 21 vjetorin e masakrës së Reçakut ka kërkuar që presidenti serb të zgjohet, duke thënë se ai e di të vërtetën për atë se çka ka ndodhur gjatë luftës .

“Nuk e di se ku bazohet ai. Më duket e çuditshme, se si 21 vjet pas flasin ende për mua në Beograd. Në ato mënyra më ka përshkruar edhe Millosheviq. Por, 21 vjet pas, presidenti i Serbisë ende të flasë ashtu… ai e di të vërtetën që ndodhi Recak. Besoj se ishte ministër i informimit apo diçka e tillë në kohën e Millosheviqit. Pra, ai është politikan i llojit të Millosheviqit”, thotë Walker.

I njëjti tutje, ka ironizuar me Vuçiqin, duke e krahasuar atë me njerëzit që besojnë se toka është e rrafshët.

“Ka njerëz në këtë botë, që përkundër të gjitha provave apo shkencës, besojnë që toka është e rrafshët. Ne ishim në Hënë dhe pastaj filluan të dyshojnë se ne kemi shkuar atje. Ky për mua është Vuçiq. Ai beson në tokë të rrafshët, apo që ne nuk kemi shkuar në Hënë, apo që masakra e Recakut asnjëherë nuk ka ndodhur. Por jam i sigurt që ai e din që masakra ka ndodhur. Ai ishte pjesë e komandës. Ai mund të me quajë si të dojë. Mund ti thotë mbështetësve të tij se jam mashtrues global, se jam gënjeshtar dhe gjithçka cka më ka thënë. Ai ka gjëra më të mira për të bërë në jetën e tij 21 vite pas asaj që ishte një akt makabër nga forcat Serbe”, ka deklaruar ai në T7.

Të ngjashme