Wizz Air nis linjën për Budapest, nga qershori edhe për Londër

Prishtinë | 07 Pri 2017 | 12:09 | Nga Jehona Zhuniqi

Kompania ajrore “Wizz Air” lansoi shërbimin e saj të parë që lidh Prishtinën me kryeqytetin e Hungarisë, Budapestin.

Kjo linjë do të jetë me orar të volitshëm, dy herë në javë, ndërsa u tha se nga 23 qershori do të lansohet edhe linja për Londër, raporton Ekonomia Online.

Kryeshefi Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Haldun Firat Kökturk tha se sot është ditë shumë e rëndësishme për këtë aeroport. Tha se përmes këtij fluturimi po e lidhin Prishtinën me Budapestin.

“Që dy vite ky fluturim nuk ka funksionuar dhe jemi të lumtur që ky fluturim po rikthehet. Siç e dini ‘Wizz Air’ është njëra prej kompanive të mëdha dhe janë të njohur për çmimet e lira që i kanë. Wizz Air do të jetë kompani kyçe e bashkëpunimit dhe i dëshiroj sukses në operimet e saj”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se presin qe kjo kompani të rrit linjat.

Kurse menaxherja e komunikimeve në “Wizz Air” Sorina Ratz ka thënë se është kënaqësi që sot fillojnë me këtë linjë nga Aeroporti i Prishtinës për në Budapest. Ndërsa paralajmëroi edhe linjën për në Londër.

“Qe nga sot ‘Wizz Air’ fillon operimet nga aeroporti dhe tani ndërmjet dy kryeqyteteve fillon operimin e drejtpërdrejtë. Presim që të kemi dy fluturime në javë të hënën dhe të premten. Nga 23 qershori do të fillojmë me linjë edhe për në Londër ditën e enjte dhe të premte”, ka thënë ajo.

Ndërsa ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo  Markusz ka deklaruar se sot është një ditë shumë e rëndësishme për të.

“Dita e sotme shënon një datë të madhe sepse po hapen dyert drejt Evropës. Jam i bindur de ky fluturim do të sjell edhe bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve dhe po ashtu miqësi. I inkurajoj udhëtarët që të përfitojnë nga ky rast. Budapesti gjatë tërë vitit ofron programe të ndryshme”, ka thënë ai.

Ai ka thëne se Qeveria hungareze do të mundohet që të ofrojë sa më shumë përkrahje për shtetin e Kosovës.

Kurse pasagjerja  Fatmire Humolli e cila priste që të udhëtojë  për në Budapest, tha se lëshimi i kësaj linje nga kompania “Wizz Air”, për në Hungari ka larguar maltretimet e qytetarëve pasi që këta të fundit është dashur që të shkojnë në vendet e tjera   që të udhëtojnë për në Hungari.

Jam duke udhëtuar për në Hungari, faleminderit prej kompanisë, shumë e mirë dhe e lirë, për herë të parë jam duke udhëtuar me këtë linjë. Po e ndiej veten shumë mirë sepse unë udhëtoj shpesh edhe faleminderit prej të gjithëve. Sigurisht që kjo linjë është dashur të lëshohet më herët sepse prej vendit tonë është më mirë sepse jemi maltretuar duke shkuar në Shkup e vend të tjera”, ka thënë ajo.

Operimet e “Wizz Air”, ofrojnë shërbime të përballueshme në 140 destinacione përgjatë 42 vendeve dhe një ekip prej 3000 profesionistëve të aviacionit. Në vitin 2016 me këtë kompani kanë udhëtuar rreth 23 milionë pasagjerë.

Të ngjashme