Wladimir Klitschko ka paralajmëruar se mund ta bëjë një rikthim të bujshëm në boks, por vetëm kur lufta në Ukrainë të ketë mbaruar dhe vendi i tij të mos kërcënohet më nga Rusia.
Ish-boksieri ukrainas ishte kampion bote në kategorinë e peshave të rënda për 11 vjet. Ai doli në pension në gusht të vitit 2017 pas humbjes së pësuar në meçin me Anthony Joshuam në fillim të atij viti, transmeton Gazeta Express.
Klitschko së fundi vendosi t’i bashkohet ushtrisë ukrainase në luftën kundër agresionit rus.
Megjithatë, në një intervistë për gazetën gjermane “BILD” pas fitores së Tyson Furyt ndaj Dillian Whytet të shtunën mbrëma, Klitschko thotë se nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në ring.
“Mësova gjithashtu se pavarësisht luftës, nuk duhet ta harrosh jetën. Sporti është pjesë e jetës sime. Jam i kënaqur që fitoi Tyson Fury”, tha ai.
“Kush e di, nuk dua të premtoj asgjë të madhe këtu. Por, nëse jam në formë të mirë dhe mbi të gjitha, nëse lufta në Ukrainë së shpejti do të marrë fund dhe se kufijtë tanë ekzistojnë pa asnjë kërcënim nga Rusia, atëherë kush e di?”
46-vjeçari e mbylli karrierën me 69 meçe në boksin profesionit, me bilanc prej 64 fitoreve e 5 humbjeve. 53 prej fitoreve i arriti me nok-aut.