Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, qe disa javë është duke marrë mbrojtje të vazhdueshme nga njësia elite austriake, Cobra, pas një kërcënimi specifik iranian, sipas personave të afërt me çështjen, raporton gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.
Njësia elite po e mbron Grossin, pasi agjencia austriake e inteligjencës kishte marrë informata për një kërcënim ndaj zyrtarit të lartë nga një palë e tretë, sipas një personi të përfshirë në rast. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore e ka selinë në Vjenë.
Irani e ka akuzuar Grossin se ka ndihmuar në nxitjen e luftës 12-ditore të Izraelit në qershor, duke thënë se raportet e tij rreth punës bërthamore të Iranit ishin të anshme dhe përhapnin shqetësime të pabaza për aktivitetet bërthamore të Iranit. Zyrtarë të lartë iranianë kanë bërë thirrje që ai të vihet para gjyqit dhe të shkarkohet nga pozita që e mban.
Pas përfundimit të luftimeve mes Izraelit e Iranit, Grossi i tërhoqi inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore nga Irani për shkak të shqetësimit për sigurinë e tyre. Tërheqja u bë përmes një operacioni të fshehtë në rrugë tokësore. Operacioni u krye me pëlqimin e Iranit.
Në fund të qershorit, sipas zyrtarëve, Grossit – diplomat veteran argjentinas që ka gjasa të mira për t’u bërë pasardhës i Antonio Guterresit në postin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së vitin e ardhshëm – iu dha siguri shtesë nga njësia speciale Cobra.
Kjo forcë taktike dislokohet për t’iu kundërvënë kërcënimeve më të rënda, si komplotet terroriste dhe për të siguruar individë të rangut të lartë, përfshirë kancelarin austriak. Në rastet e kërcënimeve konkrete kundër figurave të larta, njësiti Cobra angazhon pjesëtarë të armatosur me pushkë gjysmautomatike dhe të paktën dy automjete të blinduara 24 orë në ditë.
Një person i afërt me çështjen tha se autoritetet austriake kanë marrë masa, pasi të dhënat e inteligjencës përvijonin një kërcënim specifik ndaj Grossit që vinte nga individë të lidhur me Iranin. Një person tjetër tha se u është thënë që kërcënimi besohet se vjen nga Irani dhe po merret seriozisht nga autoritetet.
“Mund të konfirmojmë se Austria ka ofruar një njësi të Cobras, por nuk mund të konfirmojmë se nga saktësisht ka ardhur kërcënimi” – tha zëdhënësi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Fredrik Dahl.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Austrisë refuzoi që të komentonte. Nuk pati koment nga misioni iranian në Nju-Jork.
Njëra nga kërcënimet më të ashpra publike ndaj Grossit është brë nga Ali Larijani, ndihmës i lartë i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit. “Kur lufta të përfundojë, ne do të merremi me Grossin” – kishte shkruar ai në rrjetin X.
Një zyrtar i lartë i sistemit të drejtësisë në Iran ka thënë pas përfundimit të luftës se Grossi mund të ballafaqohet me gjykim në mungesë – veprim që do ta ndërlikonte shumë bashkëpunimin mes IAEA-së dhe Iranit.
Gazeta gjysmëzyrtare iraniane e linjës së ashpër, “Kayhan”, e ka cilësuar Grossin spiun izraelit dhe ka bërë thirrje që ai të arrestohet dhe të ekzekutohet.