Derisa Wuhani po përballet me pasojat ekonomike, shumica e vendeve janë rihapur mirëpo e kanë ndryshuar modelin e biznesit të tyre e disa të tjera janë mbyllur.
Në vendin prej ku shpërtheu pandemia e koronavirusit, ku janë hequr masat kufizuese më 8 prill, Starbucks, McDonald’s, Burger King, KFC dhe Pizza Hut nuk i lejojnë klientët e tyre të hyjnë brenda objekteve të tyre, raporton CNN.
Tavolinat janë të vendosura para bizneseve dhe klientëve u jepen produktet në dorë.
Për më tepër, banorët frikësohen nga vala e dytë e infeksioneve pas hapjes së qytetit dhe besojnë që kjo do të çonte në mbyllen e qytetit për herë të dytë. Të shtunën, autoritetet shëndetësore të Wuhanit raportuan 19 raste të reja pa simptoma në këtë qytet.
Ndërkaq, ekonomia e provincës ku ndodhet Wuhani ka rënë afërsisht 40 për qind në raport me çerekun e fillim vitit të kaluar, sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, me rënie të shitjes me pakicë prej 15 për qind vetëm në muajin mars.
Shaun Roache, drejtor ekonomik i Sandard and Poor’s Global Ratings për Azinë e Paqësorit, ka thënë se mësimi i Wuhanit ndaj pjesës tjetër të botës është se veprimi i hershëm për koronavirusin është i kushtueshëm për ekonominë dhe mund të çojë në rihapje edhe më të shpejtë.
“Karantinimi ka efekt jo-proporcional në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këto firma kanë më pak qasje në kreditë për rimëkëmbje dhe mund të jetë shumë e vështirë për to që t’i plotësojnë kriteret e hapjes”, ka thënë ai.