Qyteti kinez Wuhan nga ku edhe kishte shpërthyer epidemia e coronavirusit, duket se sërish është duke u përballur me disa raste të reja me COVID-19, ku autoritetet lokale po frikësohen se mund të vie deri te një valë e dytë, shkruan CNN.
E për të mos ndodhur një gjë e tillë, është marrë vendim që tërë banorët e këtij qyteti në provincën Hubei t’i nënshtrohen testit të COVID-19 në një afat kohor prej 10 ditësh, transmeton Telegrafi.
Siç raporton CNN, autoritetet e Wuhanit kanë zbuluar planin e testimit duke pranuar se bëhet fjalë për një veprim që duhet ndërmarrë sa më shpejtë të jetë e mundur.
“Pas hulumtimeve është marrë vendim që të fillojë një luftë tjetër kundër coronavirusit. Do të fillojmë me testimin e të gjithë qytetarëve të Wuhanit në 10 ditët e ardhshme. Çdo lagje do ta bëjë planin se si do të realizohet ky proces”, është thënë pas takimit të autoriteteve kompetente.
Masa të tilla vijnë si pasojë e gjashtë rasteve të reja me coronavirus që janë shfaqur në Wuhan, pas më shumë se një muaji që kur ky qytet doli nga masat strikte të izolimit.