Trajneri i Barcelonës, Xavi ka mohuar zërat për pensionimin e afërt të Sergio Agueros pasi ylli argjentinas vazhdon të shërohet nga problemet e shfaqura në zemër.
Aguero ka qenë jashtë fushës që kur u largua gjatë pjesës së parë në barazimin 1-1 të Barçës me Alaves më 30 tetor.
33-vjeçari u ankua për marramendje dhe dhimbje gjoksi përpara se të dërgohej në spital, me klubin që konfirmoi më pas se ai do të mungonte për të paktën tre muaj.
Por, që nga ajo kohë është sugjeruar në mediat ndërkombëtare se çështja në fund mund ta detyrojë atë të varë këpucët në gozhdë.
Raporte të reja dolën përpara fitores 1-0 të Barçës kundër Espanyolit të shtunën duke pretenduar se Aguero ka vendosur të tërhiqet nga futbolli për shkak të një aritmie të dyshuar të zemrës.
Ish-bashkëlojtari i Agueros te Manchester City, Samir Nasri, madje konfirmoi lajmin duke zbuluar se ai kishte qenë në kontakt me të për këtë çështje.
Megjithatë, trajneri i ri i Barçës, Xavi mohoi raportet e përhapura në intervistën e tij pas ndeshjes, por gjithashtu pranoi se ai nuk di asgjë nëse Aguero do të jetë në gjendje të kthehet në fushë.
“Unë nuk di asgjë, kam folur me të një ditë dhe ajo që ka dalë nuk është e vërtetë”, u ka thënë fillimisht Xavi gazetarëve spanjoll.
“Nuk e kemi këtë informacion, nuk e di nga vjen”, përfundoi trajneri i Barcelonës.