Xavi trajner i ri i Barcelonës pothuajse punë e kryer

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Barcelona ka vendosur ta zëvendësojë të saposhkarkuarin Ronald Koeman me legjendën e klubit Xavi Hernandez.

Ronald Koeman u shkarkua nga posti i trajnerit të Barcelonës të mërkurën pas mesnatës, menjëherë pas humbjes 1:0 kundër Rayo Vallecanos, raporton Gazeta Express.

Humbja në Vallecano ishte e treta nga katër ndeshjet e fundit në La Liga për Barçën dhe i solli fundin në Camp Nou trajnerit holandez.

Ndërkohë, katalonasit nuk kanë humbur kohë për ta gjetur zëvendësuesin e Koemanit dhe tashmë kanë arritur marrëveshje me Xavin, sipas gazetës së afërt me klubin, Mundo Deportivo.

Ish-kapiteni i Barcelonës, trajner i tanishëm i Al Sadd, është pajtuar tashmë për ta marrë postin e trajnerit në Camp Nou, megjithëse ai duhet të bisedojë me klubin e Katarit për largimin e parakohshëm.

Sipas Mundo Deportivos, emërimi i tij është çështje orësh.

Ndërkohë, Sergi Barjuan, trajner i ekipit B të Barçës, mund të emërohet trajner i përkohshëm i ekipit A derisa të zgjidhet çështja e trajnerit.

Për emërimin e Xavit trajner të Barcelonës është përfolur shumë gjatë dhe një gjë të tillë ishte afër të ndodhte në verë, por presidenti Joan Laporta kishte vendosur t’i besonte Koemanit.

Të ngjashme