Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku është arrestuar sot.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Sot, më 14.12.2019, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Ferizajt, ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe ‘Ushtrim i ndikimit’”, tha Kelani.
Ai është arrestuar në Aeroportin e Prishtinës teksa tentonte të dilte jashtë vendit.
Sipas policies Zharku dyshohet lidhur me një rast që ka të bëjë me prona komunale në vitin 2010.
Me aktvendim të prokurorit , Zharku është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Zharku ishte dënuar një herë, por iku në Suedi
Kujtojmë se më 21 prill të vitit 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprave penale “Të detyrimit” dhe “Të posedimit të paligjshëm të armës”. Ai ishte dënuar me tre vjet burgim dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 eurosh. Zharku u largua nga Kosova duke i ikur kështu shkuarjes në burg.
Zharku, kishte jetuar lirshëm në Suedi, derisa Suedia kishte njoftuar autoritetet kosovare se nuk mund ta ekzekutoj dënimin në këtë shtet sepse s’ka marrëveshje ndërshtetërore.