Sislej Xhafa duket i sigurt kur thotë se i përket renesancës së shëmtisë. Asaj i kundërpërgjigjet me art. Në fakt ai shtron pyetje. Edhe pse ka shëtitur botën me veprat e tij, izolimi s’është i panjohur për këtë artist, i njohur në skenën botërore për provokimet e fuqishme.
Ani pse qysh prej viteve ‘90 ka ikur nga Kosova, gjenealogjia e veprave të tij shpesh është pikërisht vendlindja. Kjo i ka rënë në sy edhe kuratorit francez, Jérôme Sans.
Në një bisedë me Xhafën, të premten, një ditë pas inaugurimit të ekspozitës së tij të parë në vend, “Të dua pa e ditur”, Sans e ka pyetur për shumë gjëra, shkruan sot Koha Ditore.
Prej rolit të tij si artist, e deri te veprat e ndikimi i artit. Në bisedën e realizuar në “Kino Armata” në Prishtinë, e cila do të përfshihet edhe në katalogun e ekspozitës, muhabeti ka nisur me lidhjen e Xhafës me Pejën, vendlindjen e tij dhe debutimin me ekspozitë në Kosovë, ku përfshin edhe qytetin perëndimor të Kosovës. Pikërisht në Pejë ka zënë vend vepra “Lost and found” (E humbur dhe e gjetur) me të cilën Xhafa vitin e kaluar e kishte përfaqësuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, dy vjet pasi ishte pjesë e grupit të artistëve që kishin përfaqësuar Italinë.
Tek një ditë pas inaugurimit, ai ka folur “Love you without knowing” (Të dua pa e ditur). Të enjten në hapje, i ka mjaftuar t’u urojë mirëseardhje të pranishmëve.