Komuna e Obiliqit ka mbyllur me një manifestim qendror, 10 ditë aktivitete të ndryshme për 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Fillimisht u vendosën lule te shtatorja e dëshmorëve në qendër të Obiliqit, ndërsa më pas në Palestrën Sportive “Adem Jashari” u organizua një program kulturor-artistik.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, uroi përvjetorin e 10-të të shpalljes së pavarësisë. Ai bëri edhe një rezyme të rrugëtimit të shqiptarëve deri te akti i shpalljes së saj.
“Janë bërë 17 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe 10 vjet nga shpallja e Pavarësisë. Deri në këto ditë kemi kaluar ditë të gjata e të mundimshme. Sot kur jemi në këtë përvjetor jubilar shprehim mirënjohjen e lartë për ata breza që jetësuan ëndrrën tonë shekullore që Kosova të jetë e pavarur”, tha Gashi, raporton Ekonomia Online.
“Në këto ditë kemi ardhur edhe falë diasporës tonë të dashur. Politika paqësore e Ibrahim Rugovës ishte më shumë se e nevojshme në kohën dhe rrethanat e nevojshme. Rënia e heronjve ishte garanci e fuqishme që liria ishte shumë afër. Shtetet e fuqishme u renditen përkrah çlirimtarëve”, tha Gashi.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Esat Curri. Ai theksoi se duhet të dërgohet në vend amaneti i atyre që kanë rënë për liri.
“Njerëz të mëdhenj kanë dhënë kontribut të madh që ne sot të gëzojmë këtë ditë. Sot kur jemi afër 10-vjetorit të Pavarësisë, nga varret e dëshmorëve dëgjohet thirrja për më shumë bashkim e unitet”, u shpreh ai.
Manifestimi vazhdoi me një program me recitime, këngë e valle.