Xhafer Gashi për tymin në Obiliq: S’u paralajmëruam, KEK-u i papërgjegjshëm

Prishtinë | 02 Sht 2019 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Sot në mëngjes është parë duke dalë tym i zi nga oxhaku i termocentralit Kosova B, gjë që ka shqetësuar qytetarët.

Megjithatë sipas kryetarit të Komunës se Obiliqit Xhafer Gashi, një gjë e tillë nuk është e re për banorët e kësaj ane.

“Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Sot ndoshta është vërejtur për shkak të erërave, mirëpo në vazhdimisht përballemi me probleme të shumta. Ka zhurma të vazhdueshme, ambienti është duke u dëmtuar”.

Sipas KEK-ut tymi i zi është rezultat i kthimit në prodhim të blloqeve, por për një gjë të tillë nuk ishte informuar Gashi.

“Ne e kemi Drejtorinë e Ambientit që trajton probleme të natyrës së tillë. As aty as, as në email-in tim nuk kemi pranuar ndonjë informacion”.

“Janë njerëz shumë të papërgjegjshëm. Në këtë drejtim nuk janë duke respektuar Ligjin për Obiliqin”.

“Derisa KEK-u nuk bindet që ligjet e Kosovës duhet të implementohen, po i shkaktohen kaq shumë dëme qytetarëve janë kaq të papërgjegjshëm, mirëpo ankesat po hasin në vesh të shurdhër”, tha kreu i Obiliqit.

Gashi gjithashtu tha se vazhdimisht kanë dërguar ankesa lidhur me problemet me te cilat përballen banorët e Obiliqit, i kanë shkruar edhe menaxhmentit, po nuk kanë marrë përgjigje.

Të ngjashme