Xhafer Gashi reagon për punësimet në KEK

Prishtinë | 10 Maj 2019 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se ndihet i indinjuar dhe revoltuar me zhvillimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Sipas tij, KEK-u ka bërë degradime të shumta në Obiliq, si në sipërfaqet e tokave bujqësore, po ashtu edhe në ambient, të cilat kanë sjellë sëmundje të rënda tek qytetarët, transmeton Klan Kosova.

“Për këto vite fshati Hade dhe fshati Shipitullë kanë mbetur nën ndikimin e fatit, deri në kohën kur realizuam Ligjin për Obiliqin, ndërsa edhe sot e kësaj dite KEK-u nuk merr dhe nuk mbartë përgjegjësitë e tij karshi dëmit që i shkakton komunitetit, e për të cilat duhet të bëjë kompensimin”.

“Nuk e dimë deri kur duhet duruar këto padrejtësi, kur përveç që KEK-u nuk respekton Ligjin dhe Vendimin, në këtë korporatë nuk pranohen në punësim në as qytetarët e Obiliqit”.

Andaj kryetari Gashi i ka ftuar të gjithë ata që kanë aplikuar për punë në KEK dhe që konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat, t’i paraqesin ankesat e tyre në organet kompetente.

Të ngjashme