Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka pritur sot ambasadoren finlandeze në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilën kanë biseduar për aktivitet në menaxhimin dhe ndarjen e mbeturinave në Vushtrri.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë znj. Pia Stjernvall, ka vizituar sot Vushtrrinë ku u njoftua nga afër me procesin e ndarjes së mbeturinave të reciklueshme në Vushtrri, klubet e gjelbërta dhe reformat e rëndësishme që kemi bërë si Komunë.
Duke folur për aktivitet që Komuna e Vushtrrisë po bënë në menaxhimin e mbeturinave, kryetari i Vushtrrisë tha se Vushtrria është kampion në këtë fushë. “Janë 36 klube të gjelbërta me mbi 700 nxënës, janë 1000 familje që ndajnë mbeturina të reciklueshme, 150 biznese dhe vetëm në muajin shtator 2019, janë grumbulluar 8 t mbeturina të reciklueshme në qytetin tonë. Prandaj reciklimi po bëhet kulturë e për këtë arsye Vushtrria po vlerësohet kampion në mesin e të gjitha komunave te Kosovës nga partnerët tanë ndërkombëtar”, ka thënë kryetari Tahiri.
Bashkë me drejtues të pushtetit lokal, ambasadorja finlandeze ka vizituar edhe Qendrën për ndarjen dhe paketimin e mbeturinave të riciklueshme në fshatin Bukosh si dhe ka përcjell një aktivitet të nxënësve për ndarjen dhe menaxhimin e mbeturinave të riciklueshme.
Në gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë me mbështetje edhe nga GIZ dhe GAC janë krijuar shumë klube të gjelbërta, është bërë plotësim zgjerimi me shporta për mbeturina bazike në të gjitha fshatrat. Janë shpërndarë te ekonomitë familjare mbi 7100 shporta 120 litërshe.
U janë shpërndarë ekonomive familjare 1000 shporta për ndarjen e mbeturinave në burim në zonën urbane. Janë mbajte mbi 100 aktivitete me klubet e gjelbërta.