Kryetari i ri i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, pritet që t`i dërgojë letër zyrtare presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov, me të cilën do të t’i kërkohet që t’i dorëzojë Zoran Zaevit mandatin për formimit e qeverisë së re, shkruan REL.
Situata duket se është komplikuar pasi organet kuvendore akoma nuk janë vënë nën kontroll të kryetarittë parlamentit Xhaferi, po akoma janë në duart e kryesuesit të seancës konstituive, Trajko Veljanovski .
“Sot në Kuvend deputetët e shumicës parlamentare bashkë me Kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi janë duke kryer obligimet e tyre administrative të punës. Në mënyrë që Kuvendi të rivihet në funksion, z. Xhaferi, në atmosferë normale pune dha udhëzimet e nevojshme administrative“, ka shkruar në faqen e tij në facebook deputeti, Artan Grubi.
Gazetarët nuk kanë pasur qasje tek kabineti i kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, ndërkohë që deputeti i OBRM-PDUKM-së Antonio Milloshovski në rrjetin e tij social facebook, ka publikuar një fotografi ku duket se si po qëndrojnë deputetët e kësaj partie në kabinetin e Trajko Veljanovskit.
Deputeti i OBRM-PDUKM, Antonio Miloshovski publikoi në facebook një fotografi te deputetëve të Partisë në zyrën e kryesuesit Veljanovski.
Ai ka shkruar se çdo deputet ka mandat dhe obligim që të respektojë rregulloren e punës së Parlamentit, ligjet dhe kushtetutën e Maqedonisë.
“Kundër dy deputetëve Ferit Muhiq dhe Goran Misovski, të cilët vepruan në kundërshtim me rregulloren e punës, nxitën dhunë politike, do të ngremë padi penale në organet përkatëse.
Maqedonisë tani nuk i duhet kryetar jo-legjitim i cili mund të shkaktojë dëme dhe pasoja të pariparueshme. Platforma e Tiranës nuk është më e rëndësishme se rregullorja e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetuta ”, ka shkruar në rrjetin social deputeti i OBRM-PDUKM-së Antonio Milloshovsk.
Nga ana tjetër OBRM-PDUKM e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski edhe sot përmes një komunikate me shkrim ka theksuar se zgjedhja e Talat Xhaferit është bërë në kundërshtim me rregulloren e punës së Parlamentit të Republikës së Maqedonisë.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se kryesuesi i seancës konstitutive duhet t`ia dorëzojë zyrën kryeparlamentarit të ri Talat Xhaferit, në të kundërtën do të mund të pasojnë padi penale ndaj tij për pengim në kryerjen e detyrës zyrtare.
“Talat Xhaferi në mënyrë ligjore është zgjedhur për kryetar të Parlamentit të Maqedonisë dhe çdo pengesë që i bëhet atij për të kryer detyrën, paraqet një akt antidemokratik. Përkatësisht shkelje të rëndë të demokracisë nga ana e pakicës parlamentare kundrejt vullnetit të shumicës e cila është përcaktuar që Talat Xhaferi të jetë kryetar i Parlamentit. Veprimet e këtilla të deputetëve të OBRM-PDUKM-së janë të dënueshme në bazë të ligjeve të Maqedonisë“, thekson për Radion Evropa e Lirë, Temellko Ristevski nga universiteti FON i Shkupit.
Mersim Maksuti ligjërues i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Tetovës konsideron se Trajko Veljanovski në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë ta pengojë Talat Xhaferin që të administrojë me Parlamentin e Maqedonisë.
Maksuti thekson seorganet përkatëse nuk guxojnë të krijojnë pengesa juridike që t’i kalohen kompetencat Talat Xhaferit si kryetar i Parlamentit.
“Kryesuesit të deritanishëm të seancës konstituive Trajko Veljanovski nuk i mbetet asgjë tjetër përveç që të dorëzojë zyrën e tij dhe të mundësojë që të gjitha kompetencat për administrimin e këtij institucioni ligjvënës të kalojnë tek Talat Xhaferi si kryetar Parlamenti”, thotë për Radion Evopa e Lirë Mersim Maksuti, profesor universitar.