Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, gjatë vizitës në Ukrainë është takuar me presidentin Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas.
Kjo u bë e ditur nga fotografitë që Xhaferi i postoi në Facebook nga takimet që pati në Ukrainë.
Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut ka ngushëlluar familjet e viktimave në Ukrainë, derisa i falënderoi ushtarët ukrainas që ia mundësuan të udhëtojë në mënyrë të sigurt.
“Ngushëllimi im i sinqertë dhe shumë i thellë ndaj fëmijëve, prindërve, grave dhe burrave që i humbën më të afërmit. Për nder të jetëve të humbura, obligohemi që t’ju dëgjojmë me kujdes dhe t’ju ndihmojmë që sërish të ndërtoni të rrënuarën. Falënderim ndaj të gjithë luftëtarëve për liri në Ukrainë, që në kushte lufte na mundësuan të udhëtojmë të sigurt në Ukrainë dhe që e ndajnë bukën me ne”, ka shkruar ai.
Talat Xhaferi, ushtarak karriere, është bërë politikani i parë shqiptar që e ka vizituar Ukrainën e cila po i reziston agresionit rus për më shumë se dy muaj.