Xhaka bëhet shembull te Arsenali

Prishtinë | 20 Kor 2020 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, është i bindur se ringjallja e mesfushorit Granit Xhaka është dëshmia se çdo lojtar mund ta kthejë karrierën e tij me “topçinjtë”. Mesfushorët Mesut Oezil dhe Matteo Guendouzi duhet ta ndjekin shembullin e Xhakës nëse duan të shpëtojnë karrierën e tyre te skuadra e Arsenalit, ka insistuar Arteta të hënën për mediumet angleze. Oezil dhe Guendouzi kanë mbetur jashtë ekipit të parë të Arsenalit për shkak të sjelljeve që kanë treguar derisa londinezët kanë shijuar një rilindje nën urdhrat e Artetas, i cili ka udhëhequr ekipin drejt gjashtë fitoreve në tetë ndeshjet e fundit. Ky sukses i Arsenalit përfshin fitoret ndaj Liverpoolit dhe Manchester Cityt, ndeshje në të cilat Xhaka e ka frymëzuar ekipin. Kjo qasje e Xhakës ka dallim shumë të madh prej asaj që mesfushori e pati në fillim të nëntorit vitin e shkuar – gati dy muaj para se Arteta të emërohej trajner – ku e ardhmja e mesfushorit të Zvicrës te Arsenali dukej e zymtë. Xhakës fillimisht iu mor shiriti i kapitenit pasi reagoi me zemërim duke u fjalosur me tifozët gjatë zëvendësimit dhe pastaj u la jashtë ekipit për disa ndeshje. E pikërisht Xhakën, Arteta e ka marrë si shembull për të frymëzuar dy mesfushorët e tjerë, Artetan edhe Guendouzin.

“Sfida me Granitin ishte që ta bindja atë që ai akoma e kishte një vend te Arsenali për shkak se unë kisha besim të madh tek ai. Dhe, gjithashtu besoja se gjërat do të ktheheshin edhe më mirë se që kishin qenë”, ka thënë Arteta. “Xhaka duhej të dërgonte mesazhet e duhura. Para së gjithash, ai duhej të besonte se mund ta bënte këtë dhe se unë do ta mbështesja gjatë gjithë rrugës. Jam shumë i lumtur që Xhaka dëgjoi dhe e kuptoi reagimin e tifozëve ndaj tij. Mendoj se tifozët tashmë kanë vlerësuar atë që ka bërë Xhaka dhe është shumë pozitive. Ai ka tejkaluar vështirësitë”.

Kështu që, ndryshimi i Xhakës brenda një periudhe të shkurtër sipas Artetas është gjëja më e mirë që i ka ndodhur prej se është në krye të ekipit nga Londra.

“Xhaka është një shembull i mirë për secilin lojtar që është në një moment të vështirë. Kështu që, të gjithë ata që duan mund të veprojnë ashtu si Xhaka për shkak se gjithmonë ka një mënyrë për t’i përmirësuar gjërat”, është shprehur Arteta.

Oezil nuk ka qenë i përfshirë në ndeshje të Arsenalit që nga muaji mars, para se të pezullohen garat për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Ndërsa Guendouzi nuk është parë në fanellën e Arsenalit që nga konfrontimi që e pati me futbollistët e Brightonit në humbjen e Arsenalit (2:1) më 20 qershor. I pyetur nëse Xhaka mund të jetë shembull edhe për Oezilin e Guendouzin në veçanti, Arteta u përgjigj: “Kjo vlen për çdo lojtar dhe çdo anëtar të stafit tonë. Nëse ata vendosin të japin më të mirën, jo për vete, por për ekipin, unë mendoj se janë të mirëpritur nga të gjithë.

Nuk jam vetëm unë që duhet të jap dritën jeshile”.

Xhaka, 27-vjeçar, është pjesë e Arsenalit që nga vera e vitit 2016 dhe me ekipin anglez ka kontratë deri në vitin 2023. Ai këtë edicion ka një gol e dy asistime në 38 paraqitje në të gjitha garat.

Të ngjashme