Humbja e tri ndeshjeve të fundit kampionale e ka larguar shumë Arsenalin nga objektivat e këtij edicioni.
Arsenali, të dielën, pësoi 3:0 nga Leicesteri, ndërsa më parë në Premier League kishte pësuar edhe nga Wolvesi dhe Crystal Palace.
Tash Arsenali nuk e ka në dorë të tij renditjen në katër pozitat e para të kampionatit anglez, që sigurojnë vend në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Dhe për shkak të largimit nga objektivat, në zhveshtoren e Arsenalit ka shumë dëshpërim. Këtë e ka pranuar mesfushori kosovar, Granit Xhaka, që këtë edicion ishte prej më të mirëve tek Arsenali.
Sipas Xhakës, tash e rëndësishme është që skuadra të fitojë vetëbesim për një kthim të fuqishëm për dy ndeshjet e fundit. Arsenali e pret Brightonin dhe luan në udhëtim ndaj Burnleyt deri në fund të edicionit. Por triumfi në dy ndeshjet mund të mos jetë i mjaftueshëm për të dalë në vend të katërt.
“Besimi fitohet vetëm me fitore, me luftë, me rezultate të mira. Ne të gjithë jemi të dëshpëruar në zhveshtore dhe nuk jemi të lumtur. Natyrisht që nuk jemi të lumtur, por duhet të shikojmë para dhe të koncentrohemi për ndeshjen e ardhshme që e kemi të enjten”, ka thënë Xhaka për sajtin e Arsenalit.