Mesfushori kosovar Granit Xhaka ka pasur telashe në fillim të këtij edicioni, por ai vlerëson se ka kaluar katër vjet të shkëlqyeshme në Londër, përkatësisht te Arsenali.
Xhaka ka dhënë një intervistë për sajtin gjerman “Sport1.de”, ndërsa ka paraqitur një vlerësim për periudhën te Arsenali.
“Pas një fillimi pak më të vështirë, kam luajtur shumë dhe në përgjithësi ishte kohë e shkëlqyeshme te Arsenali. Qartë se ka pasur rënie e ngritje gjatë katër vjetëve dhe për fat të keq nuk kemi arritur të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve gjatë tri edicioneve. Por kush e di, ndoshta do të kualifikohemi këtë vit. Mendoj se një klub si Arsenali definitivisht duhet të jetë në Champions. Po ashtu isha në gjendje të punojë me top-trajnerë të ndryshëm dhe të kuptojë filozofi të ndryshme të lojës, që më kanë shtyrë përpara. Deri më tani ishin katër vjet të shkëlqyeshme në Londër”, ka thënë Xhaka.
Reprezentuesi i Zvicrës ka thënë se është ëndërr për secilin futbollist të luajë në Premier League. Sipas Xhakës për të mbetur në elitën angleze duhet të punohet shumë profesionalisht prej mëngjesit deri në mbrëmje. Xhaka thotë se nuk lejohet neglizhenca sa i takon mentalitetit, qasjes, dietës apo ushtrimit intenziv dhe pushimit të duhur. Premier League nuk lejon gabimet, thotë mesfushori 27-vjeçar.
Xhaka ka folur për dallimet e Premier Leagues me Bundesligën, ndërsa ka shtuar se nuk ka mundur të ëndërrojë karrierë më të mirë.
“Sinqerisht, nuk kam mundur të ëndërrojë karrierë më të mirë. Thuajse çdo gjë që kam imagjinuar si lojtar i ri, më është realizuar. Dhe kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të vendimeve të duhura. Për çdo vendim kam vendosur së bashku me familjen. Dhe jam pafundësisht falënderues për këtë përkrahje të rëndësishme për çështje vendimtare. Qartë se sa isha te Baseli kam pasur shumë oferta, por zgjodha Moenchengladbachun. Më pas hapi i ardhshëm Arsenali, absolutisht klubi im i ëndrrave”, ka thënë Xhaka.
Ylli kosovar është pyetur për telashet me tifozët e Arsenalit, që e kishin fishkëllyer pas një zëvendësimi. Ai ka pasur telashe me klubin dhe tifozët pas veprimeve të tij me atë rast.
“Në Angli ka pasur ulje e ngritje. Por fishkëllimat kundër meje, urrjejta, ishte krejt e re për mua dhe më ka goditur shumë. Deri atëherë kam pasur vetëm përvoja pozitive me tifozët në Basel dhe Moenchengladbach dhe gjithashtu këtu në Arsenal. Për këtë diçka e tillë të godet dy herë më rëndë”.
Xhaka ka pranuar se kishte kontakt dhe ofertë nga Hertha Berlin. Por në fund reprezentuesi i Zvicrës vendosi të mbetet në Londër dhe tani më nuk është çështje kalimi te Hertha.
Xhaka ka vlerësuar se me trajnerin Mikel Arteta ka njohur një “rifillim” në karrierë. Ka thënë se diskutimi me të ishte shumë motivues dhe bindës.